Dita e Europës, Rama: Shqipëria më afër se kurrë ëndrrës së vjetër. Ambasadori i BE-së: Tani rruga është e hapur
2024-05-10 11:16:18

Kryeministri Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Dita e Europës e gjen Shqipërinë më afër se kurrë ëndrrës së vjetër shqiptare për anëtarësim në BE.

Në aktivitetin e organizuar nga Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, në kuadër të Ditës së Europës, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale të qarta se duhet të përfundojë procesin e integrimit me vendet e rajonit.

Por, sipas ambasadorit Gonzato, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë para reformat e kërkuara nga BE-ja, shkruan “ATSH”.

Duke folur për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ambasadori i BE-së u shpreh se tani rruga është e hapur.

“Procesi analitik i legjislacionit është kryer dhe Shqipëria dhe vetë BE-ja kanë arritur të kuptojnë ku janë boshllëqet”,- tha ai.

Dita e Europës kremton paqen dhe unitetin në Europë. 9 Maji shënon përvjetorin e Deklaratën historike të Schuman-it që parashtroi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Europë, që do ta bënte të paimagjinueshme luftën midis kombeve të Europës. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë fillimi i asaj që tani është Bashkimi Europian. (Irma)