Kryediplomati Hasani: Rezultat historik i shqiptarëve në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
2024-05-10 14:30:21

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se rezultati i arritur nga shqiptarët në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut është një rezultat historik për të ardhmen e bashkëjetesës mes etnieve, feve e kulturave në harmoni dhe respekt të ndërsjellë, shkruan “ATSH”.

Kryediplomati shqiptar tha se ardhmja e përbashkët e rajonit është Bashkimi Europian.

“Përshëndes rezultatin historik të shqiptarëve në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut. Për të gjithë ne, e tashmja ka vetëm një emërues të përbashkët: bashkëjetesën mes etnive, feve e kulturave në harmoni e respekt të ndërsjellë. E ardhmja lëviz vetëm në një kah: drejt Bashkimit Europian dhe familjes së vendeve demokratike”,- shkroi ministri Hasani në rrjetet sociale.

Në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut u shpall fituese VMRO DPMNE-ja si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri.

Nga partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mori 18 mandate. Koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, arriti të sigurojë 13 mandate, ndërsa të tjerat u ndanë mes partisë E Majta dhe lëvizjes ZNAM. (Irma)