BE arrin marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës
2024-05-10 15:19:21

Flamujt e BE-se (Foto Atsh)

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së arritën një marrëveshje për të përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse në Bashkimin Europian për ndihmë ushtarake për Ukrainën, njoftoi qeveria belge në një postim në “X”, citon “ATSH”.

“Paratë do të shërbejnë për të mbështetur rimëkëmbjen dhe mbrojtjen ushtarake të Ukrainës në kontekstin e agresionit rus”,- bëri të ditur qeveria belge, e cila kryesoi bisedimet midis vendeve të BE-së.

Marrëveshja mbulon përdorimin e interesit dhe fitimeve të tjera nga asetet, por jo vetë aktivet bazë, të cilat do të mbeten të ngrira.

Ky veprim mund të sjellë deri në 3 miliardë euro (3.23 miliardë dollarë) ndihmë vetëm këtë vit.

Sipas Komisionit Europian, asetet e Bankës Qendrore Ruse me vlerë rreth 210 miliardë euro janë ngrirë në BE.

Institucioni financiar me bazë në Bruksel, Euroclear, njoftoi së fundi se asetet do të fitonin rreth 4.4 miliardë euro interesa në vitin 2023. (Irma)