Ministret Balluku dhe Manastirliu inspektojnë në Korçë aksionin për sigurinë e instalimeve elektrike
2024-05-09 14:45:36

Ministret Balluku dhe Manastirliu (Foto RTSH)

Ministret Balluku dhe Manastirliu (Foto RTSH)

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur një aksion në të gjithë vendin sa u takon masave të sigurisë së instalimeve elektrike, kaldajave dhe bombolave të gazit që përdoren në institucionet arsimore. Aksioni është shtrirë në të gjithë vendin, duke pasur në fokus sigurinë e objekteve arsimore, shkruan “ATSH”.

Inspektorët e ISHTI-t do të verifikojnë në terren kushtet e sigurisë, duke lënë edhe detyra konkrete kudo ku do të evidentohen problematika.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishin në shkollën 9-vjeçare “Nuçi Naçi” në qytetin e Korçës, ku ndoqën nga afër të gjithë procesin.

Ministrja Balluku tha se prej disa kohësh ka nisur një inspektim i të gjitha institucioneve arsimore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit edhe me pushtetin vendor dhe të gjitha institucionet e tjera për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore.

“Ne duhet të zbusim të gjitha ato problematika që janë në njësitë arsimore që janë të ndërtuara prej kohësh, ndërkohë që unë jam shumë e sigurt që të gjitha projektet e reja i kanë kushtet dhe parametrat që duhen plotësuar dhe sigurisht ata që ndjekin kontratat do t’i plotësojnë këto”, - tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se është i rëndësishëm evidentimi i të gjitha problematikave teknike, si dhe të lihen detyrat për të ndërhyrë menjëherë kudo ku do të evidentohen problematika.

Nga ana e saj, ministrja Manastirliu tha se duhet të shtohet ky inspektim në të gjithë territorin, duke e pasur vëmendjen qoftë në objektet të cilat janë konstruktuar më herët, por edhe ato që realizohen dhe përfundojnë rishtazi.

Më shumë se 3 mijë institucione arsimore në të gjithë vendin do të jenë pjesë e kontrolleve nga ana e inspektorëve të ISHTI-t. (Elona)