Bjellorusi, nisin stërvitjet ushtarake me raketa e avionë që mund të bartin armë taktike bërthamore
2024-05-09 11:58:51

Raketa (Foto Panorama)

Në Bjellorusi nisën stërvitjet ushtarake me raketa dhe avionë luftarakë që janë në gjendje të bartin armë taktike bërthamore, të cilat, aleatja e ngushtë, Rusia, i zhvendosi atje kohë më parë. 

Stërvitjet ushtarake në Bjellorusi nisën një ditë pasi Rusia njoftoi se synon të kryejë stërvitje të ngjashme për simulimin e përdorimit të armëve bërthamore të fushëbetejës, si përgjigje ndaj deklaratave të zyrtarëve perëndimorë, për të cilat pretendon se janë shenjë se Perëndimi mund të përfshihet më shumë në konfliktin në Ukrainë, shkruan “Panorama”.

Kjo ishte hera e parë që Rusia ka njoftuar publikisht për një ushtrim të tillë.

Ministri bjellorus i Mbrojtjes, Viktor Khrenin, tha se një njësit i raketave me rreze të mesme veprimi, Iskander, dhe një skuadrilje e avionëve luftarakë, Su-25, do të marrin pjesë në stërvitje.

Vitin e kaluar, Rusia zhvendosi disa armë taktike bërthamore në Bjellorusi, e cila kufizohet gjithashtu edhe me Ukrainën dhe anëtaret e NATO-s, Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, mbështetet në lidhjet e ngushta me Rusisë dhe e ka ofruar vendin e vet si terren strategjik për konfliktin  në Ukrainë.

Rusia ka nënvizuar se armët taktike bërthamore të zhvendosura në Bjellorusi mbeten nën kontrollin ushtarak të Rusisë.

Për dallim nga raketat interkontinentale balistike bërthamore, të cilat mund të shkatërrojnë qytete të tëra, armët taktike bërthamore, të dizajnuara për t’u përdorur kundër trupave në fushëbeteja, janë më pak të fuqishme. (Elona)