IOC, sistem monitorimi me inteligjencë artificiale për të mbrojtur atletët nga abuzimi në internet
2024-05-09 15:14:37

CFP

CFP

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) njoftoi se një sistem i ri monitorimi i fuqizuar nga inteligjenca artificiale do të mbrojë atletët dhe zyrtarët nga abuzimi në internet gjatë Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike Paris 2024.

“Paris 2024 do të shënojë herën e parë që inteligjenca artificiale do të përdoret për të ofruar hapësira të sigurta në internet për një numër kaq të madh atletësh që konkurrojnë në kaq shumë sporte në të njëjtën kohë”,- thuhet në një deklaratë të IOC-së, citon “Xinhua”.

IOC-ja njoftoi se sistemi i fuqizuar nga inteligjenca artificiale do të monitorojë mijëra llogari në të gjitha platformat kryesore të mediave sociale dhe në mbi 35 gjuhë në kohë reale dhe çdo kërcënim i identifikuar do të raportohet.

Sipas IOC-së, sistemi u pilotua me sukses gjatë Javës Olimpike të Sporteve në vitin 2023, duke analizuar më shumë se 17.000 postime publike, duke shënuar 199 mesazhe potencialisht abuzive nga 48 autorë që synonin llogaritë nga një grup studimi prej 122 lojtarësh dhe dy llogarive zyrtare të IOC-së.

Sistemi, i cili është një projekt i përbashkët i zhvilluar nga Komisioni i Atletëve të IOC-së dhe Komisioni Mjekësor dhe Shkencor i IOC-së, do të ndihmojë gjithashtu IOC-në të kuptojë më mirë sfidat me të cilat përballen atletët në lidhje me abuzimin në internet, duke i mundësuar komitetit të përmirësojë më tej mbrojtjen e atletëve në ngjarjet e ardhshme.

Sistemi i monitorimit në internet do të jetë i disponueshëm për të mbuluar rreth 15.000 atletë dhe më shumë se 2000 zyrtarë gjatë Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike. (Elona)