Forcohen masat për ngritjen e stabilimenteve të prodhimit të filizave bimorë
2024-05-09 14:51:42

Filiza (Foto ATSH)

Filiza (Foto ATSH)

Nga 1 janari 2025 do të hyjnë në fuqi rregullat e reja që forcojnë kriteret për ngritjen e stabilimenteve të prodhimit të filizave që përdoren për mbjellje nga fermerët. Në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përcaktohet se për operatorët e biznesit ushqimor rritës të filizave në stabilimente, dhënia e lejes për ngritjen e tyre do të kërkojë përmbushje të plotësimit të disa kushteve të reja, shkruan “ATSH”.

Rregullat e reja përfshijnë që nga shtrirja dhe planimetria e stabilimenteve që duhet të lejojë kushte të larta higjienike, deri te dezinfektimi i ambienteve të rritjes së filizave.

Sipas udhëzimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do t’i miratojë këto stabilimente vetëm kur ato të jenë në përputhje me kërkesat e përcaktuara.

Rregullat e reja përcaktojnë se planimetria dhe shtrirja e stabilimenteve duhet të lejojë praktika të mira të higjienës së ushqimit, duke përfshirë mbrojtjen kundër kontaminimit ndërmjet dhe gjatë operacioneve.

Duhet të sigurohen ambiente të përshtatshme për pastrimin, dezinfektimin dhe ruajtjen e enëve dhe pajisjeve të punës. Këto objekte duhet të jenë të lehta për t’u pastruar dhe të kenë furnizim të mjaftueshëm me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë.

(Elona)