Lufta kundër kultivimit të kanabisit, ministri Balla: Gjatë 2023-shit u goditën 28 grupe kriminale
2024-05-09 11:44:30

Taulant Balla (Foto RTSH)

Taulant Balla (Foto RTSH)

28 grupe kriminale që merreshin me kultivim kanabisi janë goditur vitin e kaluar. Shifra u bë e ditur nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, sipas të cilit në total janë ndaluar dhe vendosur nën akuzë 273 persona, citon “RTSH”.

Ministri Balla kërkon që këtë vit të shtohen përpjekjet në luftën kundër kanabisit, për t’i dhënë fund këtij fenomeni.

“Policia e shtetit vijon goditjen e grupeve kriminale të përfshira në kultivimin/prodhimin e lëndëve narkotike. Përgëzime Drejtorisë së Policisë Gjirokastër për operacionin gjatë të cilit u godit një rast i përshtatjes së banesës për kultivim të kanabisit. Gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e kultivimit, janë kryer 171 operacione policore, janë goditur 335 raste për kultivim të bimëve narkotike, janë asgjësuar 293.047 bimë narkotike cannabis sativa me 273 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë. Viti 2024 duhet të shënojë goditjen më të madhe asfiksuese dhe përfundimtare ndaj fenomenit të kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të kanabisit”,- shkruan ministri Balla. (Elona)