Tkurret stoku i pronave të pashitura, qytetarët orientohen drejt banesave me qira ditore
2024-05-08 11:40:43

Pallate (Foto ABC News)

Pallate (Foto ABC News)

Pavarësisht një uljeje të çmimit të banesave, ato mbeten ende në territor pozitiv duke u rritur me 3.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, koha që merr një pronë e listuar për t’u shitur rritet në rang vendi, por ulet me dy muaj në kryeqytet, thuhet në raportin e stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të 2023-shit i publikuar nga Banka e Shqipërisë, citon “RTSH”.

Edhe pse sektori po sheh një zgjerim të vazhdueshëm, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Pronave të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria, konstaton se trajektorja është e ndryshme nga shifrat e paraqitura.

Sipas tij, vitet e fundit, me shtimin e kërkesës, qytetarët po i listojnë gjithnjë e më shumë banesat e tyre në tregun e banesave me qira ditore çka po reflektohet edhe në një rritje të çmimeve.

“Qiratë në Shqipëri janë rritur më shpejt sesa çmimet, sidomos gjatë 2023-shit",- tha ai.

Sipas të dhënave të raportuara, numri i pronave të pashitura, si për banesa, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për të disatin gjashtëmujor radhazi. (Elona)