Kryeminstri Rama: Fuqizim i tre pushteteve në luftën ndaj korrupsionit
2024-05-08 11:35:58

Rama mbledhje (Foto RTSH)

Rama mbledhje (Foto RTSH)

Kryeministri Edi Rama ka theksuar vijën e kuqe për ministrat, deputetët apo zyrtarët socialistë, që nëse përfshihen në korrupsion nuk do të ketë mbrojtjen e tij. Duke e konsideruar korrupsionin si një institucion që funksionon paralel dhe sistem kancerogjen të sundimit të ligjit, Rama tha se do të ketë një nismë të përbashkët për bashkëpunimin e 3 pushteteve në luftën e ndaj këtij fenomeni dhe formimit të vlerave demokratike.

Gjatë mbledhjes me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar, Rama u shpreh se do të fuqizohet pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor në forcimin e ligjit dhe harmonizimin e punës së tyre në mënyrë që të përshpejtohet afrimi i Shqipërisë me BE-në, citon “RTSH”.

“BE nuk çelte kurrë negociatat nëse Shqipëria nuk do të kishte ndryshuar si nata me ditën. Ai dokument që rreshton problemet dhe sfidat që kemi liston edhe të gjitha arritjet e padiskutueshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria ka hyrë në një fazë të re drejt një shoqërie të hapur me një demokraci funksionale. Lufta ndaj korrupsioni duhet vazhduar kudo dhe përditë duke i bashkuar të tre pushtetet”,- tha Rama.

Lidhur me dënimin nga SPAK të disa deputetëve, kryebashkiakëve dhe ministrave socialistë, kreu i qeverisë tha se PS-ja nuk do të bëjë avokatin e atyre që lobojnë për xhepat e veta.

Rama shtoi se ministrat dhe deputetët duhet të kuptojnë njëherë e mirë këtë realitet të ri, që politika dhe drejtësia i kanë punët e ndara. (Elona)