TikTok, ByteDance padit qeverinë e SHBA, për të bllokuar ndalimin e mundshëm
2024-05-08 18:08:10

Foto nga VCG

TikTok, një platformë argëtimi me video në internet, dhe kompania e saj mëmë kineze ByteDance, ngritën të martën një sfidë ligjore kundër qeverisë së SHBA-së, mbi një ligj që detyron ByteDance të shesë aplikacionin ultra-popullor ose të përballet me një ndalim mbarëkombëtar në vend.

Presidenti i SHBA Joe Biden nënshkroi një projektligj për ndalimin e TikTok muajin e kaluar, pasi u miratua nga të dy Dhomat e Kongresit të SHBA.

"Kongresi ka ndërmarrë hapin e paprecedentë për të veçuar dhe ndaluar shprehimisht TikTok: një forum i gjallë në internet për lirinë e fjalës dhe shprehjes, i përdorur nga 170 milionë amerikanë për të krijuar, ndarë dhe parë video" tha TikTok në peticionin e paraqitur në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Kolumbisë.

"Për herë të parë në histori, Kongresi miraton një ligj, që e nënshtron një platformë të fjalës së lirë, ndaj një ndalimi të përhershëm mbarëkombëtar, dhe ndalon çdo amerikan të marrë pjesë në një komunitet unik online ,me më shumë se 1 miliard njerëz në mbarë botën," shtoi kompania.

"Ndalimi i TikTok është padyshim jokushtetues, madje edhe sponsorët e Aktit e pranuan këtë realitet. Për këtë arsye janë përpjekur fuqishëm ta përshkruajnë ligjin, jo si një ndalim, por thjesht një rregullim të pronësisë së TikTok ," tha TikTok.