Raporti i Avokatit të Popullit: 1/3 e popullsisë në Shqipëri jeton në kushte të vështira
2024-05-08 17:58:33

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Të paktën 1/3 e popullatës në Shqipëri jeton në kushte të vështira teksa skemat e mbështetjes sociale duhet të synojnë familjet në nevojë. Raporti vjetor i zyrës së Avokatit të Popullit për vitin 2023 ndalet te shifrat e prodhuara nga Instituti i Statistikave, por edhe tek ankesat që ka marrë lidhur me këto çështje, shkruan “Panorama”.

Sipas raportit, varfëria (norma e rrezikut të varfërisë) në Shqipëri mbetet e lartë, mbi 22%. Sipas rezultateve të Anketës së të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës vlerësohet se niveli i përjashtimit social në Shqipëri, pra i individëve në rrezik varfërie ose thellësisht të privuar materialisht është rreth 43.9% e popullsisë. Privimi i rëndë material vlerësohej në 35.2% në vitin 2021.

“Kjo do të thotë se pothuajse 1/3 e popullsisë jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, duke iu referuar studimit për “Transfertat e Mbrojtjes Sociale drejt Familjeve të Varfra”, ku janë listuar kategoritë e shpenzimeve për familjet e varfra, ushqimi zë pjesën më të madhe të shpenzimeve duke lënë hapësirë të pakonsiderueshme për shpenzime të tjera, si komunikimi dhe kultura”,- thuhet në raport.

I njëjti dokument vlerëson se ndihma ekonomike, që është një instrument që synon kategoritë në nevojë, ka vend për përmirësim diçka që pranohet edhe në dokumente strategjike.

Sipas Avokatit të Popullit, sfidë e reformës për ndihmën ekonomike vijon të mbetet masa e ulët e saj, nxjerrja nga skema e familjeve në rrezik të varfërisë, mosmbulimi i të gjitha kategorive të cenueshme, përfituese të ndihmës ekonomike dhe mangësia e akteve nënligjore që përcaktojnë masën e minimumit jetik dhe përshtatjen e kësaj mase në planin kohor, si një normë kufizuese për mbrojtjen e burimit të të ardhurave të qytetarëve.

Konkretisht, gjatë vitit 2023, institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar raste të paraqitura nga ankesat e qytetarëve, apo të trajtuara me iniciativë. Referuar ankesave të regjistruara gjatë këtij viti rezulton të jenë 35 të tilla, nga të cilat 10 janë të nisura me iniciativë. (Elona)