Ushtria izraelite merr nën kontroll pikën kufitare të Rafahut
2024-05-08 11:47:28

Ushtria izraelite ka marrë nën kontroll anën palestineze të pikës kufitare të Rafahut në jug të Rripit të Gazës, njoftuan Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).

“Sipas Shërbimit Sekret, që bëri të ditur se pika kufitare në Rafahun lindor po përdorej për qëllime terroriste, trupat e IDF-së morën kontrollin operacional të anës së kalimit në Gazan”, shkroi Ushtria në “Telegram”, përcjell “ATSH”.

“Kjo pasoi një operacion brenda natës në të cilin trupat tokësore së bashku me forcat ajrore filluan një operacion kundër terrorizmit, për të eliminuar milicinë islamike palestineze Hamas dhe për të shkatërruar infrastrukturën e saj në Rafahun lindor”,- thuhet në njoftimin e IDF-së.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan se kishin eliminuar strukturat ushtarake të Hamasit, infrastrukturat nëntokësore dhe objektet e tjera që grupi operonte.

Forcat izraelite filluan të hënën evakuimin e Rafahut në Gazën jugore, ndërsa përgatiteshin për një operacion të pritshëm ushtarak.

Aleatët e Izraelit dhe liderët e tjerë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për nisjen e një ofensive në Rafah.

Një numër i madh civilësh palestinezë kanë kërkuar strehim në qytet pasi u larguan nga sulmet ajrore izraelite dhe operacionet tokësore në disa pjesë të tjera në Rripin e Gazës. (Elona)