BE: Manovrat bërthamore, veprim i papërgjegjshëm i Rusisë
2024-05-08 17:17:44

Flamuri i BE-se (Foto ATSH)

Manovrat bërthamore ruse janë tronditëse dhe vazhdim i sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë, deklaroi Peter Stano, zëdhënësi i kryediplomatit europian Josep Borrell, shkruan “ATSH”.

Sipas tij, masa është një tjetër provë se Kremlini është i interesuar vetëm në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës që u shkaktua nga agresioni i tij i paligjshëm kundër Ukrainës.

“I bëjmë thirrje Rusisë të ndalë përshkallëzimin dhe retorikën e papërgjegjshme”,- tha Stano, duke theksuar se Rusia duhet të ndalë agresionin kundër Ukrainës dhe shkeljet e ligjeve ndërkombëtare dhe të detyrimeve ndërkombëtare.

“Rusia do të kryejë një manovër të forcave të saj taktike bërthamore me urdhër të presidentit Vladimir Putin”,- njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Kjo manovër i përgjigjet pretendimeve perëndimore për dërgimin e trupave në Ukrainë”,- deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, duke theksuar se deklaratat e presidentit francez për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë shënojnë një sërë tensionesh të paprecedenta.

Në njoftim nuk thuhej nëse raketat do të pajisen me koka bërthamore.

Rusia ka kryer më parë trajnime të forcave bërthamore pa koka bërthamore.(Elona)