FMN: I drejtë taksimi i profesionistëve të lirë, institucionet të koordinojnë zbatimin
2024-05-08 16:29:47

Anke Weber FMB (Foto CNA)

Shefja e Misionit të Fondit Monetar (FMN) në Shqipëri, Anke Weber, e quan të drejtë përfshirjen në skemën e tatimit mbi të ardhurat të profesionistëve të lirë. Sipas zonjës Weber, regjimi i mëparshëm i tatimit mbi të ardhurat evidentoi disa mangësi të rëndësishme, citon “ATSH”.

“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm vitet e fundit me përpjekjet e saj për të mbrojtur qëndrueshmërinë fiskale, e cila është thelbësore për stabilitetin makroekonomik dhe një rritje të qëndrueshme. Politika e kujdesshme fiskale ka bërë të mundur një përmirësim të vazhdueshëm në pozicionin fiskal të qeverisë dhe po ashtu një rënie të vazhdueshme të borxhit publik në raport me PBB-në, e cila tani qëndron nën nivelet e periudhës para pandemisë”,- deklaroi Weber.

Në lidhje me ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, Weber thotë se pragje të ndryshme për të ardhurat nga punësimi dhe për të ardhurat nga biznesi rezultuan në një strukturë konfuze tatimore, me stimuj më të fortë, që tatimpaguesit të deklaronin të ardhurat e tyre si të ardhura nga aktivitetet e biznesit.

Ky boshllëk ishte një pasojë e paqëllimshme e dallimit midis mënyrës se si tatohen të ardhurat nga punësimi dhe biznesi dhe krijoi një situatë të padrejtë për punonjësit e tjerë.

Për të adresuar këto çështje, theksoi Weber, ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u ndryshua, me ndihmën dhe mbështetjen teknike të FMN-së, për të siguruar që profesionistët e lirë të tatohen në një mënyrë të krahasueshme me taksapaguesit e tjerë të punësuar.

Por ajo shton se përvoja me zbatimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat nxjerr në pah sfidat që mund të shfaqen dhe të pengojnë zbatimin e qetë dhe në kohë të masave reformuese. Kjo nënvizon nevojën për të vazhduar përparimin me reformat e administrimit të të ardhurave, të cilat zakonisht kërkojnë një kohë të gjatë dhe koordinim të fortë ndërmjet agjencive të ndryshme zbatuese.

Shefja e FMN-së tha se ritmi i reformave të administrimit të të ardhurave duhet të përshpejtohet, veçanërisht në lidhje me një plan strategjik për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe përmirësimin e mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave për të ndihmuar në forcimin e pajtueshmërisë, veçanërisht në rastin e sektorit të turizmit dhe të individëve të pasur. (Elona)