Shqipëria 2030 në BE, Spiropali prezanton draft-rezolutën për mirëqeverisjen
2024-05-08 11:39:03

Elisa Spiropali (Foto RTSH)

Elisa Spiropali (Foto RTSH)

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka prezantuar në mbledhjen e grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar të thirrur nga kryeministri, draft-rezolutën për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në BE.

Spiropali deklaroi se SHBA-BE kanë qenë gjithnjë mbështetëse strategjike ndaj Shqipërisë për konsolidimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Po ashtu, reforma në drejtësi, zbatimi i saj dhe garantimi i një sistemi demokracie të pavarur, ka qenë, sipas Spiropalit, një prej fokuseve të qeverisë Rama, që ka gjetur ndër të tjera edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, citon “RTSH”.

“Kuvendi angazhohet të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha, si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e konsiderojmë detyruese përmbajtjen dhe angazhimet e kësaj rezolute, pavarësisht dallimeve dhe vijave të qarta ndarëse politike e programatike mes nesh, në çdo aspekt dhe për çdo aspekt tjetër të jetës parlamentare”,- tha Spiropali. (Elona)