Maqedonia e Veriut voton për Parlamentin dhe presidentin
2024-05-08 16:45:50

Maqedoni e Veriut (Foto RTSH)

Në Maqedoninë e Veriut zhvillohen sot zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, shkruan “RTSH”.

Në kutitë e votimit janë thirrur rreth 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote, në 6 njësi zgjedhore, ndërsa disa koalicione dhe parti kanë lista vetëm për disa njësi zgjedhore.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga 1755 kandidatë që garojnë do të zgjidhen 120 deputetë sipas modelit proporcional.

Në ditën e fundit të fushatës, Dimitar Kovaçevski tha se vota për LSDM është votë për të ardhmen, ndërsa VMRO- DPMN bëri thirrje për pjesëmarrje në votime, që shteti të kthehet në duart e qytetarëve.

Koalicioni Fronti Shqiptar, që drejtohet nga BDI-ja, mbylli fushatën në Tetovë, nga ku u shpreh se më 8 maj pret sukses më të madh se më 24 prill.

Koalicioni shqiptar opozitar VLEN, që drejtohet nga Arben Taravari dhe ka marrë ftesë nga VMRO- DPMNE për krijimin e qeverisë së ardhshme, nëse fiton më 8 maj, bëri të ditur se së bashku do të vrapojnë edhe më fuqishëm sesa në fushatë.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë në balotazh Stevo Pendarovksi nga LSDM-ja dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE-ja, e cila fitoi bindshëm në raundin e 24 prillit. (Elona)