Tirana nis përgatitjet për titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”
2024-05-08 17:45:01

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Tirana ka nisur përgatitjet për vitin 2025, kur bashkë me Aleksandrinë do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti një delegacion të përfaqësuesve nga Unioni për Mesdheun (UfM) dhe “Anna Lindh Foundation” (ALF), ku u diskutua mbi detajet e organizimit të aktiviteteve dhe nxitjes së mirëkuptimit midis kulturave.

Veliaj siguroi për angazhimin maksimal të Bashkisë së Tiranës për ta kthyer këtë eksperiencë në një urë e fortë bashkëpunimi, citon “ATSH”.

“Kemi një eksperiencë fantastike me reputacionin e Tiranës si Kryeqyteti i Sportit dhe i Rinisë. Këtë vit ne drejtojmë B-40, që është rrjeti më i madh i bashkive në Ballkan. Jam vërtet mirënjohës që i keni besuar Tiranës këtë titull. Do të bëjmë maksimumin që, bashkë me Aleksandrinë, të kthehemi në një urë të fortë në Mesdhe”,- tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se Tirana po shton numrin e institucioneve të artit në kryeqytet. Ai shprehu bindjen se edhe rritja e numrit të turistëve do të bëjë që bota të njohë më shumë Tiranën dhe Shqipërinë duke prodhuar një histori suksesi.

“Po punojmë për një teatër të ri, po mbaron Teatri i Kukullave, kemi filluar me disa kinema, si “Agimi” dhe “Maks Velo”. Duam që viti i kulturës të jetë një vit jo vetëm për 1 milion qytetarët e Tiranës, të cilët jetojnë këtu, por edhe për fluksin e turistëve, të njohin një Tiranë ku patjetër që hahet mirë, ku patjetër që ka mot të mirë, ku patjetër ka mikpritje, po ku ka edhe art, edhe kulturë. Besoj që do të kemi mundësi që edhe bota të njohë më shumë Tiranën dhe Shqipërinë dhe që gjithë energjia e artistëve lokalë, bashkë me eksperiencën fantastike të rrjetit që ju sillni, të prodhojë një histori suksesi”,- theksoi Veliaj. (Elona)