Izraeli urdhëron mbylljen e televizionit “Al Jazeera”
2024-05-07 17:38:06

CFP

CFP

Izraeli urdhëroi mbylljen e zyrave lokale të rrjetit satelitor të lajmeve “Al Jazeera”, që është në pronësi të Katarit, njofton “Panorama”.

Pamje filmike të shpërndara në internet tregonin punonjës të rendit me rroba civile duke çmontuar pajisjet e kamerave në një dhomë hoteli, për të cilin burimi i rrjetit “Al Jazeera” tha se ishte në pjesën lindore të Jeruzalemit.

Vendimi i qeverisë izraelite i pezullon veprimtaritë e rrjetin për aq kohë sa vazhdon lufta në Gazë, duke thënë se përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.

Sipas “Al Jazeera”, masa ishte një veprim kriminal dhe se akuza se rrjeti kërcënonte sigurinë izraelite ishte një gënjeshtër e rrezikshme dhe qesharake, që vë në rrezik jetën e gazetarëve të saj.

Rrjeti u zotua se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion përmes institucioneve ligjore ndërkombëtare.

Rrjeti e ka kritikuar operacionin ushtarak izraelit në Gazë, nga ku ka raportuar që nga fillimi i luftës.

CFP

CFP

Në një deklaratë të qeverisë thuhet se ministri i Komunikimit nënshkroi urdhrat për të vepruar menjëherë. Një ligjvënës, që e mbështeti mbylljen, tha se “Al Jazeera” ende mund të përpiqet që ta bllokojë vendimin përmes gjykatës.

Kompanitë kabllore dhe satelitore i pezulluan transmetimet e rrjetit “Al Jazeera” pas vendimit të qeverisë. Qeveria e Katarit nuk ka komentuar.

Muajin e kaluar rrjeti u ankua për një sërë sulmesh sistematike nga Izraeli për t’i mbyllur gojën “Al Jazeera”-s. Rrjeti televiziv bëri të ditur se Izraeli kishte vrarë qëllimisht disa nga gazetarët e tij, mes tyre Samer Abu Daqqa dhe Hamza AlDahdooh në Gazë. Izraeli ka bërë të ditur se nuk vë në shënjestër gazetarët.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut e kritikoi gjithashtu mbylljen e rrjetit televiziv. (Fatosi)