5 Maji, autoritetet shtetërore homazhe te memoriali “Nënë Shqipëri”
2024-05-06 14:39:55

5 Maji (Foto Atsh)

5 Maji (Foto Atsh)

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, autoritetet më të larta shtetërore kryen homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri”, në përkujtim të të rënëve për lirinë e atdheut, shkruan “ATSH”.

Të pranishëm në homazhe ishin kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, autoritetet vendore, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, veteranë dhe qytetarë.

Autoritetet shtetërore vendosën kurora me lule dhe u përulën para memorialit në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe prosperitetin e vendit.

Dita e Dëshmorëve të Kombit njihet si dita e nderimit të atyre që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën më 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.  (Fatosi)