“Uragani Frank” në spektaklin “X-Factor Albania”
2024-05-05 15:36:03

Frank Ibrahimi është një artist i lindur. Ai e ka nisur muzikën që në moshë të vogël. Me një timbër të veçantë të zërit atë të  bas-baritonit,ai arriti të spikasë mes talentëve të spektaklit "X-Factor" dhe të bëhet shumë i dashur për publikun. Përgjatë rrugëtimit artistik gjatë 11 netëve live, i konsideruar si ‘Uragani Frank”  ai ka dhuruar performanca fantastike. Është angazhuar me muzikë në fëmijëri, por studimet zgjodhi t’i vazhdojë në degën e ekonomikut. Në intervistë për Radio Ejani Frank Ibrahimi tregon për rrugëtimin e tij artistik në “X-Factor”, spektakli që i ndryshoi jetën brenda 24 orëve, por edhe planet e tij në vazhdim.

Frank  Ibrahimi (Foto nga instagrami)

Frank  Ibrahimi (Foto nga instagrami)

CMG: Ti Frank e kishe faktorin ‘x’ dhe spikate që në fillim të spektaklit për vokalin e veçantë dhe personalitetin tënd. Kur të ndoqa gjatë spektaklit, vokali yt më dha ngjashmërinë me artistin e madh Joe Cocker.

Frank Ibrahimi: Është një kompliment shumë i madh për mua të krahasuarit me këtë artist të madh! Ajo që ndoshta më karakterizonte më shumë në “X Faktor” ishte pjesa e vokalit, sepse isha i vetmi me vokal bas- bariton dhe kjo më profilizoi duke krijuar imazhin tim.

CMG: Dhe këtë vit ka pasur plot talente, sidomos 16 prej tyre ku të gjithë mund të konsideron fitues në zhanrin përkatës muzikor, sipas vokalit që ata trajtonin. Vokali yt ishte paksa i veçantë nga të tjerët e me këtë vokal arrite të shkoje shumë pranë finales. Si ishte për ty ky rrugëtim dhe si e ke përjetuar këtë eksperiencë?

Frank Ibrahimi: Kjo eksperiencë e parë ishte literalisht mbresëlënëse. Unë zgjohem në mëngjes dhe kujtoj ato fotografi që kam ruajtur në mendjen time. Që prej eleminimit tim i kujtoj me nostalgji shumë kujtime nga ky spektakël ku mendoj jam rritur hap pas hapi shumë profesionalisht. Ishte një ëndërr e bukur, të cilën e shijova për aq sa zgjati dhe mendoj do më japë fryte të bukura në jetën time.

CMG: Në fillim të kësaj gare si ishte përballja, duke qenë se në skenë tregoje një siguri të madhe, mendoje se do të shkoje drejt finales?

Frank Ibrahimi: E mendoja sepse jam kërkues i madh ndaj vetes. Kisha besimin se mund t’ja dilja. Eleminimi në momentin e parë ishte i papritur për mua, por më pas e pranova duke menduar se ishte një garë dhe duhet ta pranosh garën e të përballesh me atë që të ofrohet.

CMG: Kanë qenë rreth 2000 konkurentë dhe ti arrite të mbizotëroje mbi 16 konkurentë në netët live të finales, kështu që keni qenë të gjithë fitues. Episod pas episodi keni kënduar këngë të ndryshme, të huaja dhe shqiptare.Ku e ke ndjerë veten më mirë dhe sa e lehtë ishte përshtatja aty?

Frank  Ibrahimi (Foto nga instagrami)

Frank  Ibrahimi (Foto nga instagrami)

Frank Ibrahimi: Faleminderit së pari që sapo preke një nga pikat më të bukura të atij formati. Unë arrita ta shfaqja veten në disa rryma, versione apo fytyra artistike. Ishte shumë bukur të këndoje shqip, këngë të artistëve të mëdhenj shqiptarë dhe akoma më bukur të performoja rrymën e preferuar atë të Rock-ut, Blues-it. Nga nata në natë emocionet ishin të ndryshme sepse materialet muzikore ndryshonin nga njëra- tjetra dhe trasmetonin emocione të veçanta. Të këndoje shqip ishte emocion edhe më i madh. Unë kam kënduar dy këngë në shqip, një të Aleksandër Gjokës “Kuturu”, me tekst të Timo Fllokos e muzikë nga Pirro  Çako dhe një të Aurela Gaçes “ Fati ynë shpresë dhe marrëzi”. Ishin të dyja emocione të veçanta. Me “Kuturu” përjetova emocionet e para të të kënduarit një këngë shqip, ndërsa kënga tjetër është një nga këngët e mia të preferuara të repertorit shqiptar dhe e kam shijuar nga momenti i parë deri në fund. Një këngë që sa herë e dëgjoj më rrënqeth mishin dhe e kam falenderuar edhe Aurelën.

 Të këndosh akapela është një gjë shumë e bukur të cilën pata fatin ta mësoj në “X -Factor” dhe një artist duhet të dijë ta zotërojë që të përcjellë më së miri mesazhin e këngës ashtu siç duhet, kështu që po mësoj të këndoj akapela dhe për kënaqësi të njerëzve që më rrethojnë.

CMG: Kur ka qenë emocioni më i madh kur ke kënduar shqip  këngë të nga artistëve me famë botërore?

Frank Ibrahimi: Emocionet janë të ndryshme si kur këndon shqip ashtu edhe në gjuhë të huaj dhe nuk do doja t’i krahasoja sepse në mendjen time ato ekzistojnë si rryma të veçanta, por në aspektin e kritikës ose mesazhit këngët shqip kanë një emocion primar, duke qenë se artistët janë ende të kohës dhe do ishte shumë bukur sikur ata ta dëgjonin mënyrën sesi unë e kam sjellë në skenë, si e kam interpretuar apo performuar, dhe së fundmi një koment prej tyre do ishte akoma më i jashtëzakonshëm. Këtë e prisja dhe njëkohësisht e kam marrë nga Aurela Gaçe.

CMG: Cili ishte komenti?

Frank Ibrahimi: Pasi e ka parë në profilin tim në Instagram më ka përgëzuar për mënyrën e performacës dhe origjinalitetin me të cilin e kisha sjellë materialin. Ishte një gjë shumë e bukur dhe menjëherë mendova që ja dola të prek një artiste, të cilën e kam idhull si Aurela Gaçe dhe i thash vetes: “Bravo Frank!”.

CMG:  Unë kam dëgjuar  edhe komentin e sopranos së mirënjohur “Manjola Nallbani”, e cila ka thënë: “ Më jep kordat e tua, t’ja shtoj zërit tim”. Si je ndjerë më ato momente, të marrësh komplimente kaq të drejpërdrejta?

Frank Ibrahimi në intervistë për Radio Ejani

Frank Ibrahimi në intervistë për Radio Ejani

Frank Ibrahimi: Është një nga komplimentet më të bukura që kam marr dhe kur u ndodha pranë Manjola Nallbanit, u ndjeva shumë i vlerësuar. Ai ishte momenti i parë kur unë besova se mund të shkoja edhe më lart në atë kompeticion.

CMG: Janë komente që të bëjnë të rritesh artistikisht apo të kesh krenari më të madhe?

Frank Ibrahimi: Më shumë më bëjnë të besoj se mund t’ja dal sepse kjo është beteja mes artistëve dhe ky kompliment më jep një lloj krahu. Nuk më rritet krenaria sepse unë si njeri preferoj të jem shumë me këmbë më tokë, pavarësisht arritjeve të ndryshme që mund të kem në të ardhmen.

CMG: Në atë spektakël keni qenë 2-3 talente që keni spikatur që në fillim dhe ti ke qenë një prej tyre.

Frank Ibrahimi: Nuk mund të gjykoj për veten, por feedback-u nga publiku më ka ardhur që në fillim dhe ishte shumë pozitiv, sa ndonjëherë më dukej e pabesueshme. Dalja në ekran shënon dhe 24 orët më të çuditshme të miat, direkt ishte një fytyrë tjetër e së nesërmes.

CMG: T’u duk e vështirë përshtatja me famën?

Frank Ibrahimi: Nuk mendoj se është shumë e vështirë për sa kohë ke mbështetje dhe përshtatje nga njerëzit. Janë ata që më kanë pëlqyer dhe që unë përfaqësoj. Herën e parë që isha në ekran ishin 24 orët komplet bardhë e zi dhe ndryshimi ishte aq drastic, sa kur dola në rrugë direkte më kanë përshëndetur njerëzit. Vërtet një kujtim i jashtëzakonshëm.

CMG: Karriera jote artistike tani e pati startin në një publik të madh në të gjithë Shqipërinë e përtej kufijve, por muzika ka lindur me ty shumë herët në një moshë të vogël. Le ta nisim nga fillimet e tua, kush e ka spikatur talentin tënd?

Frank Ibrahimi në X-Factor (Foto nga instagrami)

Frank Ibrahimi në X-Factor (Foto nga instagrami)

Frank Ibrahimi: Fakti që unë kisha vesh muzikor e ka zbuluar së pari gjyshja ime, e cila ka qenë duke bërë punët e shtëpisë kur më dëgjoi duke kënduar këngën “Ti nuk ke më ndjenja” të Ardit Gjebresë, madje po këndoja me bishtin e fshesës dhe kjo gjë e la nënën pa fjalë. Më pas lajmi shkoi te babai, i cili u mrekullua që djali i tij po këndonte dhe kishte zë. Në atë kohë kam qenë pa mbushur ende 4 vjeç. Këto janë imazhe që mua më shoqërojnë gjatë gjithë kohës.

CMG: Dhe më pas si vijoi?

Frank Ibrahimi: Ai ishte momenti i parë ku brenda meje lindi ky pasioni i fortë muzikor. Momenti ku unë dola para pasqyrës dhe i thashë vetes: “Frank nëse ti nuk bëhesh njeri i skenave unë nuk ta bëj hallall”. Kam qenë shumë i rreptë me veten që i vogël. Beteja për të vazhduar dhe për t’ja dalë me muzikën ka qenë gjithmonë e egër brenda vetes sime, Që nga ai moment kur unë fillova ta dashuroja këtë gjë nuk e kam ndarë kurrë. Është gjithmonë një betejë brenda vetes sime për ta arritur atë që i kam dhënë premtim vetes.

CMG: Më pas punove me dikë në mënyrë profeisonale?

Frank Ibrahimi: Po, mësuesi i parë ka qenë Vasil Çuni, i cili ka qenë në Vlorë që në klasën e parë dhe gjej rastin ta falenderoj për gjithçka ka kontribuar te unë dhe më pas me Eliona Licin, profesoreshë e kantos, ku isha në moshën 16-vjeçare, kur fillova me të leksionet e vokalit për t’u përmirësuar gjithnjë e më shumë me leksione profesionale.

CMG: Çfarë ndodhi më pss që  nuk zgjodhe të studioje për muzikë?

Frank Ibrahimi: Nuk zgjodha të studioja për muzikë sepse ishte një shkollim i tërë 12 vjeçar, i cili për fat të mirë shkoi shumë mirë dhe prindërit e mi më përkrahnin te anashkencore. Prandaj zgjodha atë rrugë, ndërsa muzikën zgjodha ta kisha armë të fortë sekondare, por duke vazhduar paralelisht e duke mos ju ndarë.

CMG: Në momentin që  fitove sigurinë për t’u përballur me një publik më të zgjeruar nëpër ambjentet live, ka qenë viti 2020 ku ke dale të interpretosh me një bandë muzikore. Cili ka qenë ambjenti i parë ku ke kënduar këngët e para dhe si ka qenë mikpritja e atij publiku të vogël?

Frank Ibrahimi: Ambjenti i parë ku kam performuar ka qenë një Lounge në Vlorë. Ishte në verë në muajin qershor, ku u bënë tre shokë që formuam grupin dhe nisëm aktivitetin tonë në verë. Live i parë ishte shumë i sikletshëm edhe pse secili nga ne ndihej gati për të performuar. Hera e parë sërish të ndesh me një lloj vështirësie, megjithatë puna sa vinte e përmirësohej me hapa shumë solidë. Aty u shpërndamë për të performuar dhe shfaqur veten tonë edhe në qytete më të mëdha si Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani etj.

CMG: Cili ka qenë repertori juaj, çfarë këngësh sillnit në atë kohë dhe a përqafoheshin nga publiku ato këngë?

Frank Ibrahimi nga performanca në X-Factor (Foto nga instagrami)

Frank Ibrahimi nga performanca në X-Factor (Foto nga instagrami)

Frank Ibrahimi: E kemi nisur rrugëtimin e shfaqjeve live me maksimumi 40 këngë. Sigurisht jo të interpretuara në një shfaqje, por si repertor maksimal. Këngët që zgjodhëm ishin shqiptare, po ashtu edhe të huaja dhe këngë që përshtateshin kryesisht nga mosha mbi 25 vjeç. Njerëzit e ndiqnin repertorin tonë dhe kjo na dha shtysë ta shtonim repertorin dhe sot kam mbi 200 këngë që performoj live.

CMG: Këto këngë janë të zhanreve të ndryshme, apo në stilin tënd?

Frank Ibrahimi: Zhanrat janë të ndryshëm pop, jazz, blues, moderne, italiane, franceze, angleze, spanjisht, shqiptare ,por kryesisht janë të rrock dhe blues.

CMG: Na trego diçka  interesante që ty të ka mbetur në mendje gjatë interpretimeve live?

Frank Ibrahimi: Ka shumë momente, por një që më kujtohet është kur kam qenë duke performuar në një lokal në Tiranë dhe aty pengohem e rrëzohem. Dhe jo vetëm që rrëzohem, por për pak rrëzoj dhe instrumentistin tim. Ishte një moment i sikletshëm, të cilin arritëm ta mbulonim shumë mirë në mënyrë qesharake sikur e bëra kastile dhe nuk arriti të kuptohej nga njerëzit. Ka qenë edhe një moment tjetër në një lokal në Vlorë, ku gjatë performancës godas veten me mikrofon. Kjo ishte akoma më keq sepse të bllokon të këndosh me mikrofon.

CMG: Si është gjëndja jote tani dhe a do të vazhdosh me  interpretimet live me grupin?

Frank Ibrahimi:  Pas “X Factor” dua të shfaqem pak më tëpër si solist, por shokët e grupit as nuk do t’i braktis dhe as nuk mendoj se do të më braktisin kurrë, sepse përveçse i kam shokë, kuptohemi shumë mirë muzikalisht. Ndjej se rrugën time e kam me ta dhe u jam borxhli moralisht për atë çfarë më kanë mësuar e më kanë dhënë. Sepse kur nis një rrugëtim, rritesh së bashku me ta, rriten ata si instrumentistë, unë si vokalist e kështu rritet komplet grupi. Gjithashtu edhe unë vetë pa instrumenta nuk dal dot në skenë, e kam pak të vështirë e kështu që mendoj që do jem me ta dhe për shumë kohë.

CMG: Ndërkohë  luan në instrumentin e kitarës. Si është raporti yt me këtë instrument sot?

Frank  Ibrahimi (Foto nga instagrami)

Frank  Ibrahimi (Foto nga instagrami)

Frank Ibrahimi: Raporti është shumë miqësor me kitarën. Kam nisur të luaj në moshën 12 vjeçare ku mora leksionet e para dhe më pas ka ardhur duke u rritur. Unë i ndërpreva leksionet e kitarës dhe sot performoj me kitarë, por më vjen më mbarë të performoj pa të sepse instrumentat i kanë shokët e mi. Megjithatë performoj me kitare në shfaqje akustike, ku më pëlqen ta shoqeroj veten me këtë instrument.

CMG: Mendon që në të ardhmen do të të ndihmojë edhe për të kompozuar?

Frank Ibrahimi: Po patjetër dhe kitara është mikesha më e mirë për të prodhuar më pas muzikë, për të shkruar dhe ndjerë momente të caktuara emocionale.

CMG: Si është raporti yt me fansat sot?

Frank Ibrahimi: Raporti është shumë i mirë dhe ndjehem sikur dua t’ju jap diçka nga mirësia ime këtyre njerëzve që më përkrahin kaq shumë. Unë nuk preferoj t’i quaj fansa, por thjesht mbështetës dhe suportues të asaj që unë përfaqësoj, ose mund t’i quaj ‘miqtë e mi’. Ndjehem mirë t’i quaj kështu sepse ndihem rehat me ta sa herë më ndalojnë, përkrahin, komplimentojnë dhe më bëjnë të kuptoj që po e mbaj atë premtimin që thashë se i kisha bërë vetes që në fëmijërinë time.

CMG: Domethënë ne, “miqtë e tu” kur do të të ndjekim live?

Frank Ibrahimi: Sigurisht që do më ndiqni së shpejti, pasi  kam shumë projekte në mendje që mezi po pres t’i realizoj. Me ngrohjen e kohës do kem dhe interpretime të tjera si në lokale dhe në disa koncerte. Në momentin e duhur do t’i publikoj të gjitha në rrjetet e mia sociale, kështu që të gjithë do kenë mundësinë për të ardhur dhe ndjekur shfaqjet dhe performancën time.

CMG: Do dëshiroje të realizoje ndonjë bashkëpunim me të gjithë këta persona që kanë qëndruar me ty përgjatë kësaj kohe të  spektaklit “X Factor” dhe nëse po, me cilin prej tyre?

Frank Ibrahimi: Kam njohur shumë artistë aty dhe janë aq shumë sa dhe po të doja të realizoja një bashkëpunim me ta nuk do ta realizoja dot, por jo me të gjithë personat. Jo sepse nuk i vlerësoj artistikisht, por unë kam shijet e mia dhe nuk përshtatem dot artistikisht me rrymat që gjithsecili përfaqëson. Do doja vetëm me disa prej tyre të kisha, duke filluar nga Young Zerka, i cili ishte mentori im në atë program dhe duke vazhduar më pas me Jet në “X Faktor”, po ashtu dhe Albën, një mikeshë e imja e ngushtë që e njoha në atë program, me të cilën do doja shumë një bashkëpunim sepse përshtatemi në shije muzikore.

Frank Ibrahimi duke interpretuar në X-Factor (Foto nga instagrami)

Frank Ibrahimi duke interpretuar në X-Factor (Foto nga instagrami)

CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdim dhe a do jesh pjesë e ndonjë kompeticioni muzikor?

Frank Ibrahimi: Dëshira është e madhe dhe me shumë mundësi mund të jem pjesë e “ Kënga Magjike”, por  ende nuk dua të ekspozohem me sigurinë më të madhe. Jetës nuk i dihet dhe plane të papritura ka gjithmonë, por jam duke punuar për një këngë në këtë festival.

CMG: Do dalësh si solist?

Frank Ibrahimi: Është një material muzikor që po punoj për ta shfaqur i vetëm si solist, por nuk i dihet, kështu që më mirë të mos e theksoj në mënyrë të sigurt.

CMG:  Sot je 23 vjeç dhe pyetja ime është se, ku e sheh veten Franku pas një dekade?

Frank Ibrahimi: E shoh veten relativisht shumë lart. Ambicja nuk vdes kurrë, shpresa po ashtu, puna do të vazhdojë dhe uroj që pas 10 vitesh të jem dikush që mbush stadiume, koncerte, sheshe e që ka repertorin dhe albumet e tij. Sigurisht që puna ime nuk do të ndaloj kurrë derisa ta realizoj këtë dëshirë.

CMG: Vazhdo të kërkosh gjithmonë nga vetja dhe të ecësh më këmbë në tokë dhe pa diskutim që me punë,talent dhe këmbëngulje arrihet gjithçka. Faleminderit që ishe në Radio Ejani për të ndarë një pjesë nga jeta jote.

Frank Ibrahimi: Faleminderit juve! Ishte një intervistë, të cilën e kam shijuar nga pyetja e parë deri tek e fundit.

Intervistoi: Sava Lena