Pullat fiskale ndryshojnë prodhues prej 2025-s
2024-05-05 11:07:13

Pullat fiskale (Foto Atsh)

Pullat fiskale (Foto Atsh)

Nga data 1 janar 2025, pullat fiskale si letër me vlerë dhe monopol shtetëror do të prodhohen dhe shpërndahen nga shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”.

Ky vendim vjen si rrjedhojë e përfundimit në datë 31 dhjetor 2024 të kontratës së koncesionit me shoqëritë “Sicpa Security Solutions SA” dhe “Sicpa Security Solutions Albania, sh.p.k.”, shkruan “ATSH”.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë” autorizohet shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë” pёr prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, sipas kuptimit në ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë, kundrejt pagesës nga data 1 janar 2025 e në vijim.

Ministria e Financave i kalon pa pagesë shoqёrisё “Shtypshkronja e Letrave me Vlerё” të gjitha të dhënat dhe aktivet, të marra në dorëzim nga koncesionari, sipas pёrcaktimeve tё kontratёs koncesionare “Për krijimin dhe funksionimin e sistemit të pullave fiskale”, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “SICPA Security Solutions SA” e “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k.”.

Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. (Irma)