Ministrja Denaj: Po punojmë për Skemë Garancie Sovrane për bujqësinë
2024-05-05 11:11:16

Ministret Denaj dhe Ibrahimaj (Foto Atsh)

Ministret Denaj dhe Ibrahimaj (Foto Atsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, dhe ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim me fermerë, blegtorë e përfaqësues të agrobiznesit, për të dëgjuar dhe folur mbi nevojat e tyre konkrete, me qëllim hartimin e politikave sa më efikase që i japin zgjidhje kërkesave të grupeve të interesit të investuar në këtë sektor, shkruan “ATSH”.

“Mbështetja e investimeve të sipërmarrjes bujqësore është prioriteti ynë, për të rritur rendimentin dhe ofruar cilësi të kontrolluar në çdo hallkë të zinxhirit prodhues nga ferma në tavolinën e konsumit”,- deklaroi ministrja Denaj, e cila theksoi se mbështetja financiare direkte nga buxheti i shtetit nuk do të mungojë.

“Synojmë që mbështetja financiare të zgjerohet edhe nëpërmjet instrumenteve të tjerë për aksesin në financë, sikundër është Skema e Garancisë Sovrane për bujqësinë për të cilën po punojmë ta sjellim sa më parë në funksion të fermerëve”,- shtoi ministrja. (Irma)