Ministri Hasani: Projekti “Ishujt” në Greqi ofron 900 shërbime konsullore
2024-05-04 18:24:48

Sherbime konsullore (Foto Atsh)

Sherbime konsullore (Foto Atsh)

Përfundoi në Greqi projekti “Ishujt”, përmes të cilit u është ardhur në ndihmë me shërbime konsullore qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në ishujt grekë të Egjeut, Kretë e Rodos.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, bëri të ditur se 900 shërbime konsullore iu ofruan qytetarëve, gjatë muajve mars-prill, në bashkëpunim me autoritetet lokale greke, duke reduktuar kostot dhe distancat e largëta, shkruan “ATSH”.

Kryediplomati shqiptar theksoi se ky është i katërti vit radhazi i zbatimit të projektit “Ishujt”, për ofrimin e shërbimeve për pajisje me dokumente biometrikë për bashkatdhetarët shqiptarë në Greqi.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet e angazhuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat konsullore, për t’u ardhur në ndihmë dhe sa më pranë të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen”, u shpreh ministri. (Irma)