Kreu i Organizatës së Turizmit të Serbisë: Vizita e presidentit Xi do promovojë turizmin mes dy vendeve
2024-05-04 16:56:46

Maria Laboviç, drejtoreshë e Organizatës së Turizmit të Serbisë/CMG

Në prag të vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Jinping në Serbi në fillim të majit, Maria Laboviç, drejtoreshë e Organizatës së Turizmit të Serbisë, pranoi një intervistë ekskluzive nga Radio dhe Televizioni Qendror i Kinës. Laboviç tha se vizita e presidentit Xi Jinping është e një rëndësie të madhe për forcimin e marrëdhënieve Kinë-Serbi dhe se do të promovojë shumë bashkëpunimin midis dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë turizmin.

"Vizita e Presidentit Xi ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke dëshmuar miqësinë e hekurt midis dy vendeve, popujve dhe liderëve të tyre. Besoj se kjo vizitë do të rrisë më tej forcën tërheqëse të Serbisë si një destinacion turistik për qytetarët kinezë. Ne do të punojmë shumë për t'u dëshmuar turistëve kinezë se Serbia është një destinacion turistik i sigurt dhe cilësor".

Serbia ka burime të pasura turistike dhe kryeqyteti i saj, Beogradi, është një nga qytetet më të mëdha në Ballkan. Aty gjenden kanioni i dytë më i madh në botë, Dejedap, Manastiri i Studenicës, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe parqe kombëtare me peizazhe të mrekullueshme natyrore. Laboviç tha se për të tërhequr më shumë turistë kinezë dhe për të përmirësuar përvojën e tyre turistike, Serbia do të punojë me vendet fqinje për të promovuar së bashku burimet turistike.

"Turistët kinezë shpesh zgjedhin Serbinë Perëndimore si zgjedhjen e tyre të parë për udhëtime. Ne kemi zhvilluar aktivitete të përbashkëta promovuese me Malin e Zi, sepse turistët kinezë vijnë nga larg dhe duan të vizitojnë më shumë se një vend. Ne bashkërisht nisim turne speciale të personalizuara me vendet fqinje si p.sh. Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina. Ky produkt është bërë tashmë një itenerar i njohur turistik evropian”.

Laboviç zbuloi se Air Serbia planifikon të nisë fluturime direkte për në Shangai dhe Guangzhou në gjysmën e dytë të 2024-ës për të ofruar më shumë komoditet dhe zgjedhje për turistët kinezë.

Raportohet se gjatë vizitës së Presidentit Xi në Serbi, Radio Televizioni Qendror i Kinës do të nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi strategjik me Organizatën e Turizmit të Serbisë. (Xu Guang)