Ministrja Kumbaro: Objektivi për vitin 2030 është turizmi elitar
2024-05-04 17:58:20

Kumbaro (Foto Atsh)

Kumbaro (Foto Atsh)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi se Shqipëria është bërë tashmë një destinacion turistik, ku turistët mund të shijojnë detin, natyrën, agroturizmin dhe peizazhet fantastike.

Në një intervistë për “RTSH”-në, ministrja Kumbaro tha se objektivi kryesor i qeverisë është turizmi elitar deri në vitin 2030.

Ministrja Kumbaro deklaroi se viti 2024 ka nisur me një rritje prej gati 50 për qind të turistëve dhe se pritet një vit me afro 40 për qind më shumë turistë, krahasuar me 2023-shin.

Sipas saj, vetëm në 10 vitet e fundit janë hapur 10 muze të reja që u ofrohen turistëve, duke theksuar se duhet vetëm të shpërndahet turizmi në të gjithë territorin.

Ministrja theksoi se sfida më e madhe është pastërtia. Ajo përmendi operacionin “Plazhe të pastra”, ku Agjencia Kombëtare e Bregdetit nga data 15 qershor deri në 15 shtator do të dyfishojë të gjitha kapacitetet për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeje në të gjithë vijën bregdetare për të përballuar fluksin e turistëve.

Po ashtu, ministrja tha se Shqipëria e vitit 2030 do të ketë dyfishit të kapaciteteve të aeroportit të Rinasit. Si dhe theksoi se vënia në funksion të aeroportit të Vlorës në vitin 2026 do të lehtësojë dukshëm transportin rrugor.

“Aeroporti i Rinasit do të bëhet transoqeanik, pasin nuk kemi fluturime përtej oqeanit. Ndërkohë aeroporti i Vlorës do të jetë më i madhi në vend. Po punojmë dhe do të hapet gara brenda verës për aeroportin tjetër turistik të Gjirokastës”,- tha ministrja Kumbaro. (Irma)