Izraeli liron 64 palestinezë të arrestuar në Gaza
2024-05-03 11:20:16

Foto nga VCG

Izraeli liroi të enjten 64 palestinezë të cilët u arrestuan gjatë operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, njoftoi Autoriteti i Përgjithshëm për Kalimet dhe Kufijtë në Gaza, shkruan “Xinhua”.

Në një deklaratë të Autoritetit thuhet se autoritetet izraelite liruan 64 palestinezë, duke përfshirë një të vdekur dhe një të plagosur rëndë, përmes kalimit Kerem Shalom në Rripin jugor të Gazës.

Gjatë operacionit tokësor izraelit në vazhdim në Rripin e Gazës, ushtria izraelite arrestoi qindra palestinezë dhe i transferoi në destinacione të panjohura, sipas organizatave palestineze të të drejtave të njeriut.

Të burgosurit e liruar u transferuan në një spital për të kontrolluar gjendjen e tyre shëndetësore, sipas burimeve palestineze të sigurisë.

Izraeli nisi një ofensivë në shkallë të gjerë kundër Hamasit në Gaza për t'u hakmarrë kundër një sulmi të Hamasit përmes kufirit jugor izraelit më 7 tetor 2023, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 u morën peng.

Sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës kanë rezultuar në viktima dhe dëme të shumta, me numrin e të vdekurve palestinezë që është rritur në mbi 34.000 që nga fillimi i konfliktit, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. (Elona)