Shqipëria drejt prodhimit të dokumenteve digjitale të identifikimit
2024-05-03 10:58:05

Foto nga ATSH

Ndryshimet ligjore për pasaportat dhe dokumentet biometrike do t’i hapin rrugë shumë shpejt prodhimit të dokumenteve digjitale të identifikimit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, tha se përgatitja e ndryshimeve ligjore për pasaportat dhe dokumentet biometrike u përgjigjet zhvillimeve teknologjike të kohës, shkruan “ATSH”.

“Shqipëria duhet të emetojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne po punojmë me kompaninë, që ligji të na mundësojë prodhimin edhe të dokumenteve digjitale të identifikimit”,- u shpreh Balla.

Sipas tij, synimi është që të gjitha dokumentet që mbajnë qytetarët në portofolë, si ID, patenta, kartat e bankave etj., të jenë digjitale, të mbahen në telefonin e secilit.

“Ndaj ky ligj është i rëndësishëm, pasi i hap rrugën kompanisë që të ecë me prodhimin e dokumenteve digjitale”,- theksoi ministri Balla. (Elona)