Presidenti Begaj vizitë në Civita: Të forcojmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kalabrisë
2024-05-02 10:56:03

Presidenti shqiptar ne Kalabri (Foto Atsh)

Presidenti shqiptar ne Kalabri (Foto Atsh)

Presidenti shqiptar Bajram Begaj nisi turin e dytë të vizitave në rajonin e Kalabrisë nga Civita, një qytet në provincën e Kozencës, i ndërtuar nga një çift arbëreshësh më shumë se 500 vjet më parë, shkruan “ATSH”.

Për të nderuar kreun e shtetit shqiptar, arbëreshët në Civita kishin organizuar një pritje zyrtare në institucionin e Këshillit Komunal, ku u shkëmbyen mendime për identitetin, kombin dhe ardhmërinë si dhe për zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kalabrisë.

Në emër të banorëve arbëreshë në Civita, kreut të Shtetit iu urua mirëseardhja nga famulltari i kishës, i cili iu drejtua presidentit në arbërisht duke i thënë: “Kur ke hyrë në këtë kishë, ke hyrë në zemrën e besimit të arbëreshëve”.

Historia e komunitetit është gdhendur në basorelievët e kësaj kishe, e cila është ndërtuar në vitin 1510.

Kryetari i bashkisë së Civita vlerësoi vizitën e presidentit Begaj në Kalabri, për të cilën kreu i shtetit shqiptar tha se kishte mbajtur një premtim të dhënë.

“Ne shqiptarët kemi një proverb të vjetër: “Fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur janë shumë të rëndësishme”. Para disa kohësh bëra një vizitë të parë në rajonin e Kalabrisë dhe të gjithë kryetarët e komunave donin që unë t’i vizitoja. Iu premtova që do të vija sërish, sepse në një vizitë është e pamundur t’i shohësh të gjitha komunat dhe bashkitë arbëreshe në Itali. Dhe tashmë jam shumë i lumtur që realizova këtë dëshirë të kryetarit të bashkisë dhe natyrisht për emocionet e përftuara nga bujaria e qytetarëve të Civitës, nga mikpritja, këngët e kënduara shqip dhe veshjet e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”,- tha Begaj.

Presidenti Begaj falënderoi Italinë, që siç hapi dyert për arbëreshët, të njëjtën qasje tregoi edhe ndaj shqiptarëve pas viteve ‘90.

Gjatë qëndrimit në Civita, Presidenti Begaj vizitoi dhe muzeun etnografik, ku përmes veshjeve, pikturave dhe dokumenteve, tregohej historiku i këtij komuniteti.

Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që arbëreshët i kanë dhënë kombit, ndërsa premtoi se do të jetë gjithmonë krah tyre për të vijuar me hapa të tjerë konkretë që i shërbejnë ruajtjes së arbërishtes. (Irma)