Ministrja Balluku: Investime në Rinas për fluturimet transoqeanike
2024-05-02 11:33:33

Foto nga RTSH

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit po vijon puna për të ndërtuar pistën që do të mundësojë fluturimet transoqeanike.

Gjatë aktivitetit “Vera 2024, siguri, mikpritje, shërbime dhe infrastrukturë për pushuesit”, Balluku informoi se rritja përtej projeksioneve e numrit të pasagjerëve në aeroportin e Rinasit shtyu qeverinë të punonte për shtimin e kapaciteteve në infrastrukturë, shkruan “RTSH”.

Ajo theksoi se aeroporti i Vlorës do të jetë gati në fillim të sezonit të ri turistik të vitit të ardhshëm.

Zëvendëskryeministrja informoi se aeroporti i Tiranës ndërsa po përgatitet për fluturimet transoqeanike, ka çuar në 40 mijë m2 sipërfaqen e terminaleve.

“Kontrata e rinegociuar u bazua mbi garantimin e një investimi prej 100 milionë eurosh në zgjatimin e pistës, për ta kthyer në një aeroport të kategorisë “E”, ku do të akomodohen fluturimet transoqeanike që Shqipëria s’i ka pasur deri sot. Sot pasagjerët shqiptarë kanë mbushur aeroportet e rajonit për fluturime të tilla. Me zgjerimin e pistës do të fluturojnë nga aeroportet tona. Rinasi, i vetmi në vend me 13 mijë m2 terminal, sot kemi 40 mijë m2 terminal. Kemi 9 vendparkime të reja, ndër të cilat 2 për avionët që bëjnë udhëtimet transoqeanike”,- deklaroi Balluku. (Irma)