UNICEF-i ngre shqetësimin për gjendjen e fëmijëve në Libanin jugor
2024-05-02 10:32:55

Foto nga VCG

Organizata e OKB-së për Ndihmën për Fëmijët, UNICEF, bëri të ditur se luftimet midis milicisë shiite Hezbollah dhe Izraelit po zhysin në mjerim dhjetëra mijëra fëmijë dhe të rinj dhe familjet e tyre në Libanin jugor.

Sipas UNICEF-it, sulmet ajrore pothuajse të përditshme nga Izraeli po shkatërrojnë jetesën e njerëzve, shumë prej të cilëve tashmë jetonin në kushte të pasigurta, njofton “ATSH”.

“Numri i fëmijëve që punojnë është në rritje, disa familje dërgojnë fëmijë deri në 4 vjeç për të punuar në fusha për të fituar jetesën”, tha Ettie Higgins, nënkryetare e zyrës së UNICEF-it në Liban.

“Shumë fëmijë janë të kequshqyer dhe të tjerë vuajnë nga ankthi. Kjo ka pasoja për gjithë jetën e tyre”,- tha Higgins, duke theksuar se disa vende kanë reduktuar mbështetjen e tyre humanitare për Libanin.

Si rezultat, shumë programe të UNICEF-it janë ndërprerë në një kohë kur nevojitet më shumë mbështetje se më parë.

Shkollat dhe furnizimet me ujë janë shkatërruar pjesërisht nga sulmet ajrore izraelite dhe qendrat shëndetësore janë mbyllur. (Irma)