Ministri Gonxhja: Më 1 maj, mbrëmja festive e Javëve Kulturore Ndërkombëtare
2024-05-01 11:53:24

Javët kulturore (Foto ATSH)

Javët kulturore (Foto ATSH)

Nga 1 maji rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN).

Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, JKN do të zhvillohen nga muaji maj deri në nëntor. Shqipëria do të mikpresë kultura nga e gjithë bota, me një kalendar të pasur me aktivitete, artistë e performanca, plot me surpriza dhe energji të reja.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ftoi shqiptarët t’i bashkohen mbrëmjes festive të hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare, më 1 maj në orën 20:00, në sheshin “Skënderbej”, shkruan “ATSH”.

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin kështu rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri. Dy edicionet e tjera kanë sjellë në Tiranë dhe qytete të tjera qindra artistë nga bota.

JKN filloi si një nismë e Ministrisë së Kulturës në vitin 2022, me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. (Elona)