Rama në Theth: Paketë e re mbështetjeje për investime në Alpe
2024-05-01 11:52:45

Theth (Foto ATSH)

Theth (Foto ATSH)

Kryeministri Edi Rama prezantoi në Theth, para përfaqësuesve të agroturizmit që operojnë atje, paketën e re të mbështetjes për investime në Alpe.

Në një videomesazh, shefi i qeverisë tha se kjo paketë do t’u hapë rrugën e kthimit të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, citon “ATSH”.

“Kursimet e tyre mund t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë shpërndarë lart e poshtë. Do të jetë një mbështetje e fuqishme për të rihapur shtëpitë e të parëve, për të ndërtuar agroturizmet, për të fituar shumë më tepër se sa fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë”,- tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo do t’i japë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë, falë turizmit dhe falë miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri.

“Janë edhe më shumë turistë këtë vit se 10 milionë të vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër konsum, punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit, mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë”,- tha kryeministri Rama. (Elona)