Britania pritet të deportojë rreth 6000 emigrantë në Ruandë këtë vit
2024-05-01 12:08:16

Rishi Sunak (Foto RTSH)

Sekretarja britanike e Shëndetësisë, Victoria Atkins, deklaroi se Britania e Madhe pritet të deportojë gjatë këtij viti rreth 6 mijë emigrantë në Ruandë.

Qeveria britanike publikoi detaje të reja për skemën e dërgimit të azilkërkuesve në vendin afrikan. Nga këta 6 mijë emigrantë, më shumë se 2 mijë prej tyre mund të gjurmohen për t’u ndaluar para se të dërgohen në Ruandë, shkruan “RTSH”. 

“Pritshmëria është që të largojmë këtë grup prej rreth 6 mijë emigrantësh deri në fund të këtij viti. Nëse dikush nuk raporton për vendndodhjen, ashtu siç duhet të bëjnë, ata do të gjenden”,- tha Atkins. 

Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, emigrantët që kanë mbërritur në territorin britanik nga janari i vitit 2022 deri në qershor 2023, të cilët kapin shifrën e 57 mijë personave, mund mos t’u pranohen kërkesat për azil dhe të dërgohen në Ruandë. 

Me këtë skemë, e cila pritet t’u kushtojë taksapaguesve britanikë qindra milionë paund, kërkesat e emigrantëve për azil do të përpunohen në Ruandë. Nëse këto kërkesa miratohen, ata do të lejohen të qëndrojnë në Ruandë dhe jo të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar.

Ruanda, popullsia e së cilës kap shifrën e 13 milionë banorëve, pretendon të jetë një nga vendet më të qëndrueshme të kontinentit afrikan dhe është vlerësuar ndërkohë për infrastrukturën e saj moderne. Por, grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin e atij vendi se sundon në një klimë frike, ku goditen disidentët dhe liria e fjalës. (Elona)