Lëvizjet e emigrantëve në Ballkan, Shqipëria trampolinë e shpejtë drejt Perëndimit
2024-05-01 12:27:54

Harta e emigranteve (Foto RTSH)

Harta e emigranteve (Foto RTSH)

Shqipëria është një vend që përdoret si trampolinë nga emigrantët drejt destinacioneve në perëndim të Europës. Ky është rezultati i një raporti të zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare për situatën me lëvizjet e emigrantëve në rajon për periudhën 1-31 mars 2024. Sondazhi me 1.484 emigrantë të intervistuar u realizua nga Organizata Botërore për Emigracionin (IOM), bën të ditur “RTSH”.

Kalimi përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ishte më i shpejtë mesatarisht sesa përmes Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. Emigrantët e ardhur në Shqipëri kaluan rreth 4 ditë në vend. Mënyra kryesore e udhëtimit në Shqipëri ishte në këmbë dhe më tej me autobus.

Në mars 2024, rreth 44 për qind e emigrantëve të intervistuar deklaruan se u ndihmuan për të kapërcyer kufirin në vendin ku kaluan kundrejt një pagese mesatare prej 500 eurosh.

Në vendet e përkohshme të pritjes, si në rastin e Shqipërisë, emigrantët raportuan se mënyra e akomodimit privat ishte më e përdorura në 69% të rasteve. (Elona)