Kursimet në banka u rritën me mbi 111 milionë euro në mars
2024-05-01 12:22:57

Kursimet (Foto ATSH)

Gjatë muajit mars të këtij viti,  depozitat bankare në monedhën europiane u rritën me mbi 111 milionë euro. Banka e Shqipërisë bën të ditur se stoku total i depozitave në fund të marsit preku nivelin e 7.38 miliardë eurove, me një rritje prej 1.5% krahasuar me një muaj më parë, citon “ATSH”.

Rritja në mars erdhi nga “Korporata jofinanciare private”, që u rritën me 9.8%, ose 108 milionë euro më shumë kursime në banka.

Ndërkohë, me bazë vjetore, depozitat në valutë janë rritur me 15.3% (mars 2024/mars 2023) ose 983 milionë euro më shumë.

Ekspertët shpjegojnë se rritja e depozitave është një tregues i qarkullimit të lartë të monedhës europiane në vend, që shpjegohet me numrin e lartë të turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri. (Elona)