Komisioni Europian heton trajtimin e reklamave politike nga “Meta” para zgjedhjeve në BE
2024-05-01 12:17:33

Flamur i BE-se (Foto ATSH)

Komisioni Europian njoftoi për një hetim për trajtimin e reklamave politike nga kompania “Meta” në platformat “Facebook” dhe “Instagram”, përpara zgjedhjeve të BE-së të 6-9 qershorit, shkruan “ATSH”.

Zyrtarët e BE-së janë të shqetësuar se trajtimi i përmbajtjes politike nga kompania amerikane e teknologjisë rrezikon të minojë procesin demokratik të zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

Hetimi po zhvillohet sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Europian (DSA), një ligj për moderimin e përmbajtjes në internet.

Legjislacioni i BE-së kërkon që platformat e mëdha si “Facebook” dhe “Instagram” të “Meta”-s të menaxhojnë rrezikun që shërbimet e tyre të dëmtojnë procesin zgjedhor, ndër të tjera. (Elona)