Hamasi publikon videon e dy pengjeve izraelitë, rritet presioni ndaj kryeministrit Netanyahu për lirimin e tyre
2024-04-29 11:31:49

Hamasi ka publikuar një video ku paraqiten dy pengje të kapur në Izrael për të treguar se janë ende gjallë, ndërsa në Tel Aviv kanë nisur protestat masive ku familjarët e pengjeve kërkojnë lirimin e tyre, shkruan “RTSH”.

Kjo video ka rritur edhe më shumë presionin mbi qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të miratuar një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.

Videoja tregoi pengjet Keith Siegel , 64 vjeç, dhe Omri Miran, 46 vjeç, civilë të cilët u rrëmbyen nga vendlindja e tyre gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor.

Videoja nuk ka datë, por Omri Miran thotë se ai është mbajtur për 202 ditë dhe Keith Siegel përmend festën e pashkës së kësaj jave, duke lënë të kuptohet se klipet janë filmuar së fundi.

Hamasi pretendon përmes videos se presioni ushtarak i Izraelit nuk kishte arritur të lironte pengjet dhe se izraelitët duhet të vazhdojnë t'i bëjnë presion liderëve të tyre për kompromis.

Videoja përfundoi me një mesazh nga Hamasi ku thuhet: “Udhëheqësit tuaj nuk kujdesen për fatin e djemve tuaj të robëruar apo për ndjenjat e tyre. Bëj atë që duhet para se të jetë tepër vonë”.

Hamasi ka publikuar më parë disa video të ngjashme të mbajtjes së pengjeve, në atë që Izraeli e konsideron një luftë të mjerueshme psikologjike. (Fatosi)