Britania nis operacionin për ndalimin e azilkërkuesve
2024-04-29 15:41:59

CFP

CFP

Vetëm pak ditë pas miratimit të ligjit, Ministria e Brendshme pritet të nisë operacionin e befasishëm për të ndaluar azilkërkuesit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, në përgatitje për deportim në Ruandë, shkruan “Panorama”.

Zyrtarët planifikojnë të mbajnë edhe refugjatët që vijnë për takime rutinë në Zyrat e Shërbimit të Emigracionit.

Ata do të transferohen menjëherë në qendrat e paraburgimit, të cilat tashmë janë përgatitur për operacionin dhe do të mbahen për t’u vendosur në fluturimet e mëvonshme për në Ruandë.

Mendohet se nisja e operacionit është caktuar të përkojë me zgjedhjet e këshillit vendor në Angli, për të rritur pretendimet e Rishi Sunak se ai po godet emigracionin e paligjshëm.

Kryeministri Rishi Sunak deklaroi javën e kaluar se fluturimet e para për në Ruandë do të nisnin 10-12 javë pas miratimit të draftit.

Policia në Skoci është vënë në gatishmëri për shkak të rreziqeve të larta të protestave në rrugë dhe përpjekjeve të aktivistëve pro refugjatëve për të ndaluar ndalimet. Komunitetet lokale në Skoci kanë parandaluar dy herë deportimet duke organizuar protesta masive në maj 2021 dhe në qershor 2022. (Irma)