Protesta në Spanjë kundër largimit të kryeministrit Sanchez
2024-04-29 11:06:06

Foto nga VCG

Mijëra mbështetës të kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, dolën në rrugët e Madridit, në përpjekje për ta bindur atë mos të japë dorëheqjen, duke brohoritur: “Pedro, mos u dorëzo” dhe “Ti nuk je vetëm”, njofton “RTSH”.

Lideri socialist spanjoll njoftoi se po anulonte të gjitha angazhimet zyrtare për të reflektuar për të ardhmen e tij. Ai e mori vendimin pasi një gjykatë hapi një hetim ndaj gruas së tij, Begona Gomez, mbi pretendimet për korrupsion.

Akuzat u ngritën kundër saj nga organizata “Manos Limpias”. Hetimi paraprak po shqyrton lidhjet e bashkëshortes se kryeministrit me kompanitë private që siguruan paratë e qeverisë ose kontratat publike.

Në mënyrë të veçantë, po shqyrton marrëdhënien midis një fondacioni që ajo drejtonte të quajtur “IE Africa Center” dhe grupit të turizmit “Globalia”, linja ajrore e të cilit “Air Europa” mori një ndihmë prej 475 milionë eurosh gjatë krizës Covid-19.

Sanchez dhe aleatët e tij kanë këmbëngulur se akuzat, të cilat janë raportuar gjerësisht në mediat e krahut të djathtë, janë false. (Fatosi)