Qeveria shqiptare nisi negociatat me Poloninë për sigurimet shoqërore
2024-04-28 14:45:08

Foto nga ATSH

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se qeveria shqiptare nisi raundin e parë të negociatave me Poloninë në fushën e sigurimeve shoqërore, shkruan “ATSH”.

Ministri Gonxhja tha se, në një atmosferë shumë bashkëpunuese, u zhvillua në Varshavë raundi i parë i negociatave për finalizimin e Marrëveshjes Kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore.

Delegacioni shqiptar, që drejtohej nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, u prit nga zëvendësministri i Familjes, Punës dhe Politikave Sociale, Sebastian Gajeëski, dhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Varshavë, Mimoza Halimi.

Sipas ministrit, marrëveshja do t’u sigurojë qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare për të punësuarit, të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit; përfitimet në para në rast sëmundje, për barrëlindjen dhe për rastet e aksidenteve në punë.

Gjithashtu, marrëveshja do të sigurojë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët mos të humbasin vitet e tyre të punës.

Raundi i dytë i negociatave për marrëveshjen administrative do të zhvillohet në Tiranë. (Irma)