Ministri Manja: Të angazhuar për punësimin e të miturve që përfundojnë dënimin
2024-04-27 14:42:00

Foto nga RTSH

Punësimi i të miturve që përfundojnë dënimin, si mundësi për riintegrimin në shoqëri, ishte në fokus të diskutimeve të tryezës së zhvilluar nga Bashkia e Lezhës dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Shqipëri. Pjesë e tryezës ishin dhe përfaqësues nga Qendra për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, si dhe institucione të tjera përgjegjëse për tematikën e diskutuar.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një postim në rrjetet sociale, cituar nga “ATSH”, u shpreh se institucioni që ai drejton është i angazhuar në ndërmarrjen e politikave që synojnë një drejtësi restauruese për të miturit në konflikt me ligjin.

“Në tryezën e organizuar nga bashkia Lezhë dhe UNICEF Albania, ku Qendra për Parandalimin e Krimeve të të Miturit dhe të Rinjtë së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse dhe përfaqësues nga biznesi diskutuan mbi mundësitë e punësimit të të miturve që përfundojnë dënimin, si pjesë e angazhimit për një drejtësi restauruese që u ofron një mundësi të dytë të rinjve në konflikt me ligjin”,- shkroi ministri Manja.

Aktiviteti u zhvillua dy ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Amnistisë nga i cili përfituan lirimin nga institucionet e vuajtjes së dënimit penal 780 persona dhe 800 tjerë ulje dënimi. Nga kategoria e të miturve janë 3 përfitues, ndërsa dy të tjerë patën ulje dënimi. (Irma)