Festa e 1 Majit dëshmoi përmirësimin e ekonomisë kineze
2024-05-07 19:52:30

Foto nga VCG

"Tregu i udhëtimeve për pushime po lulëzon",“një sërë të dhënash për konsumin kanë shënuar rekorde të reja”… Gjatë festës së 1 Majit që sapo kaloi, Kina tërhoqi vëmendjen e madhe të botës. Sipas "Nihon Keizai Shimbun", gjallëria e tregut të konsumit të Kinës gjatë festës së 1 Majit ka dëshmuar përmirësimin e ekonomisë së Kinës.

Sipas të dhënave, në pushimet për 1 Majin, turistët kinezë vizituan më shumë se 1000 qytete në mbarë botën, duke nxitur konsumin global. Veçanërisht është rritur ndjeshëm numri i turistëve në vendet që zbatojnë politikën e heqjes së vizave për shtetasit kinezë. "Lianhe Zaobao" e Singaporit vuri në dukje se numri i prenotimeve të biletave të aeroplanit nga Kina për në Singapor gjatë festës së 1 Majit u dyfishua. Pasi Kuba njoftoi së fundmi zbatimin e hyrjes pa viza për shtetasit kinezë, kërkimet për fjalë të tillë si "hotele në Kubë" dhe "bileta aeroplani për në Kubë" në platformat kineze të udhëtimit janë rritur me më shumë se 40 %. Ministri kuban i Turizmit beson se kjo do të "sjell mundësi të reja" për zhvillimin e turizmit të Kubës dhe të Amerikës Latine.

Foto nga VCG

E ashtuquajtura "ekonomia e pushimeve" është një dritare e rëndësishme për të vëzhguar ekonominë kineze. Shumë të dhëna për konsumin gjatë festës së 1 Majit i tejkaluan pritshmëritë, duke vënë në pah potencialin dhe gjallërinë e ekonomisë kineze. Së fundmi, institucionet ndërkombëtare kanë rritur intensivisht parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Kinës për të gjithë vitin. Sipas Bankës Aziatike për Zhvillim, Kina do të japë kontribut për 46 % të rritjes së ekonomive aziatike në zhvillim nga viti 2024 deri më 2025. "Bloomberg" në ShBA parashikon se Kina do të zërë rreth 21 % të aktiviteteve të reja ekonomike globale në periudhën nga 2024 deri më 2029.

Në të njëjtën kohë, një Kinë më e hapur dhe me zhvillim me cilësi të lartë po sjell përfitime në tregun global. Në Panairin e 135-të të Kantonit, i cili përfundoi më 5 maj,  680 kompani nga 50 vende dhe rajone morën pjesë në ekspozitën e importit, duke vendosur një rekord të ri. Shumë kompani të njohura ndërkombëtare shfaqën produkte inteligjente e produkte konsumi me cilësi të lartë aty, duke tërhequr blerësit globalë për të diskutuar mbi bashkëpunimin e mundshëm. Shumë pjesëmarrës thanë se Panairi i Kantonit jo vetëm që u ofron atyre një platformë të vlefshme për të ndarë mundësitë e Kinës dhe për të eksploruar tregun global, por gjithashtu u lejon atyre të ndiejnë hapjen dhe gjallërinë e ekonomisë kineze. (Çang Çuo)