Xi Jinping; Të çelim një epokë të re bashkëpunimi kino-francez
2024-05-07 04:12:41

Xinhua

Xinhua

Më 6 maj, Presidenti i Kinës Xi Jinping mori pjesë dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e mbylljes së takimit të gjashtë të Komitetit të Sipërmarrësve Kino-Francezë, duke bërë thirrje për zgjerim të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në vijim është teksti i plotë i fjalimit.


T’i drejtohemi së ardhmes bazuar tek historia e suksesshme, duke çelur së bashku një epokë të re bashkëpunimi kino-francez

Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping


I nderuar President Macron!

Përfaqësues të sipërmarrësve kinezë dhe francezë!

Zonja dhe zotërinj!

Miq!

Pas një viti, jam shumë i gëzuar të marr pjesë sërish me Presidentin Macron, në takimin e Komitetit të Sipërmarrësve Kino-Francezë. Të takoj miq të vjetër dhe të rinj nga qarqet e biznesit të të dy vendeve. Kjo është hera e parë për mua në Paris pas 5 vitesh. Në radhë të parë, dëshiroj t'u shpreh përshëndetjet e mia të sinqerta përfaqësuesve të të dyja palëve, për kurorëzimin e takimit të gjashtë të Komitetit të Sipërmarrësve Kinë-Francezë!

Ky vit shënon 60 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Francës. Gjashtëdhjetë vite janë një cikël periodik, sipas kalendarit tradicional kinez, që mbartin kuptimin e një pikënisjeje të re që vijon pas së kaluarës.

60 vitet e fundit, Kina dhe Franca kanë qenë miq të sinqertë. Duke iu përmbajtur frymës së pavarësisë, mirëkuptimit të ndërsjelltë, largpamësisë dhe përfitimit reciprok që ku u caktua gjatë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të dy vendet kanë kaluar një rrugë të jashtëzakonshme. Ata kanë vendosur një partneritet të ngushtë dhe të qëndrueshëm strategjik gjithëpërfshirës. Marrëdhëniet Kinë-Francë gjithmonë gjenden si pararojë e marrëdhënieve të Kinës me vendet Perëndimore, duke krijuar një model që vendet me qytetërime, sisteme politike dhe nivele të ndryshme zhvillimi, mund të arrijnë sukses të ndërsjellë dhe të ecin përpara së bashku. Miqësia midis Kinës dhe Francës jo vetëm favorizon popujt kinezë dhe francezë, por edhe qytetarët e gjithë botës.

Xinhua

Xinhua

Në 60 vitet e fundit, Kina dhe Franca kanë qenë partnerë përfitues reciprokë. Tregtia dhe investimet dypalëshe patën një rritje të vrullshme. Vëllimi i tregtisë dypalëshe është rritur gati 800 herë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, duke arritur në 78.9 miliardë dollarë amerikanë. Vëllimi i investimeve të dyanshme ka tejkaluar 26 miliardë dollarë amerikanë, me praninë e mbi 2000 sipërmarrjeve franceze në tregun kinez. Kina është bërë partnerja më e madhe tregtare e Francës jashtë BE-së. Ndërkohë, Franca është një ndër partnerëy kryesorë tregtarë të Kinës në BE. Një sërë projektesh përfaqësuese, të tilla si Centrali Bërthamor në Gjirin Dayawan dhe linja e montimit të gjithanshëm të Airbus A320 në qytetin Tianjin, janë bërë modele të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë mes dy vendeve. Të dyja vendet po diskutojnë gjithashtu në mënyrë aktive zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si zhvillimi i gjelbër me emetim të ulët të karbonit, ekonomia digjitale dhe tregtia elektronike ndërkufitare. Pas 60 vitesh zhvillimi, ekonomitë e Kinës dhe Francës janë bërë një marrëdhënie e ndërthurur fort.

Zonja dhe zotërinj, miq!

Kina dhe Franca gjenden në dy anët e kontinentit euroaziatik; njëra në lindje dhe tjetra në perëndim, si përfaqësuese të dy qytetërimeve. Kina dhe Franca nuk kanë kontradikta gjeopolitike apo konflikte thelbësore interesi. Ata ndajnë një rezonancë shpirtërore pro pavarësisë, tërhiqen nga kulturat e shkëlqyera të njëra-tjetrës dhe kanë bashkëpunim pragmatik me interesa të gjera. Me historinë për të nxjerrë mësime dhe realitetin për t'u mbështetur, nuk ka asnjë arsye pse Kina dhe Franca të mos zhvillojnë marrëdhënie të mira. Duke qëndruar në një udhëkryq të ri të zhvillimit njerëzor, si edhe duke u përballur me ndryshimet e mëdha botërore në një shekull, Kina është e gatshme të intensifikojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin e gjithanshëm me Francën, për të shtyrë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë dhe për të arritur rezultate më të mëdha.

Drejt së ardhmes, ne jemi të gatshëm të punojmë me Francën për të pasuruar përmbajtjet në fushat ekonomiko-tregtare të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Francë. Franca ishte një nga vendet e para që morën pjesë në procesin e Reformës dhe Hapjes së Kinës. Ka kontribuar dhe përfituar nga nxitja e modernizimit të Kinës. Për të thelluar miqësinë, duhet të kemi shkëmbime të shpeshta dhe të forcojmë bashkëpunimin. Ne e konsiderojmë gjithmonë Francën si një partnere parësore dhe të besueshme. Jemi të përkushtuar të zgjerojmë gjerësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve dypalëshe ekonomiko-tregtare, të hapim fusha të reja, të krijojmë modele dhe të kultivojmë pika të reja rritjeje. Kina është e gatshme të vazhdojë të përdorë në mënyrë aktive mekanizmin e koordinimit të shpejtë me zinxhir të plotë furnizimi "nga ferma franceze mbi tryezën kineze" për të lejuar më shumë produkte bujqësore franceze me cilësi të lartë si djathi, proshuta dhe vera, të vijnë tek tryezat e banorëve kinezë.

Foto:CMG

Foto:CMG

Kina ka vendosur të zgjasë politikën pa viza për vizitat afatshkurtra në Kinë për qytetarët e 12 vendeve, përfshirë Francën deri në fund të vitit 2025, gjë që do të ndihmojë në nxitjen e shkëmbimeve të banorëve midis dy vendeve.

Drejt së ardhmes, ne jemi të gatshëm të punojmë me Francën për të promovuar bashkëpunimin me përfitim reciprok midis Kinës dhe BE-së. Kina dhe BE-ja janë dy forca kryesore që promovojnë multipolarizimin, dy tregje të mëdha që mbështesin globalizimin dhe dy qytetërime të mëdha që mbrojnë shumëllojshmëri. Marrëdhëniet Kinë-BE kanë të bëjnë me paqen, stabilitetin dhe prosperitetin botëror.

Të dyja palët duhet t'i përmbahen pozicionimit të drejtë të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, të rrisin vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik, të eliminojnë të gjitha llojet e ndërhyrjeve, të kundërshtojnë bashkërisht politizimin, ideologjizmat dhe ekzagjerimin e sigurisë për çështjet ekonomiko - tregtare.

Shpresojmë që BE-ja dhe Kina të takohen me njëra-tjetrën në gjysmë të rrugës, të rrisin mirëkuptimin nëpërmjet dialogut, të zgjidhin ndasitë përmes bashkëpunimit dhe të eliminojnë rreziqet përmes besimit të ndërsjellë. Në këtë mënyrë do ta shndërrojmë Kinën dhe BE-në në partnerë kyç për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të njëri-tjetrit, në partnerë prioriteti për bashkëpunimin tekniko-shkencor, dhe partnerë të besueshëm për bashkëpunimin industrial dhe të zinxhirit të furnizimit.

Kina do të zgjerojë hapjen e industrive të telekomunikacionit, mjekësisë dhe shërbimeve të tjera ndaj botën e jashtme. Do të hapë më tej tregun dhe do të krijojë më shumë mundësi për kompanitë nga vende të ndryshme, duke përfshirë kompanitë franceze dhe evropiane.

Drejt së ardhmes, ne jemi të gatshëm të punojmë me Francën për të adresuar sfidat globale.

Në botën e sotme, deficiti i paqes, deficiti i zhvillimit, deficiti i sigurisë dhe deficiti i qeverisjes globale vazhdojnë të rriten. Si vende kryesore të pavarura dhe anëtarë të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Franca duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të marrin misione. Të përballojnë pasiguritë botërore me qëndrueshmërinë e marrëdhënieve Kinë-Francë. Të forcojnë koordinimin në Kombet e Bashkuara. Të ofrojnë më shumë udhëzime dhe mbështetje për qeverisjen globale dhe promovimin e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë.

Kina dhe Franca duhet të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë. Ata duhet të promovojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në thellësi, reformën e Organizatës Botërore të Tregtisë. Duhet të ruajnë autoritetin dhe efektivitetin e sistemit tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në qendër. Duhet të nxisin ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore, globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe me përfitime të përbashkëta.

Kina dhe Franca duhet të nxisin komunitetin ndërkombëtar për të formuar një forcë të përbashkët. T'i përmbahen qëllimeve dhe kornizës parimore të përcaktuara nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshja e Parisit. T'i përgjigjen në mënyrë aktive ndryshimeve klimatike. Të promovojnë procesin global të mbrojtjes së biodiversitetit. Së bashku të mbrojmë planetin, vatrën tonë të përbashkët.

Zonja dhe zotërinj!

Miq!

Reforma dhe Hapja janë tiparet më domethënëse dhe ngjarjet më madhështore të Kinës bashkëkohore. Aktualisht, nëpërmjet hapjes së nivelit të lartë, Kina po promovon reformën e thellë dhe zhvillimin me cilësi të lartë. Po transformon dhe po përmirëson industrinë tradicionale. Po kualifikon dhe po fuqizon industritë e reja. Po shtrin dhe po ndërton industritë e ardhshme. Po përshpejton zhvillimin e forcave të reja prodhuese.

Ne po planifikojmë dhe po zbatojmë masa të gjera për të thelluar më tej reformat, për të zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale, për të zgjeruar më tej aksesin në treg dhe për të zvogëluar listën negative për aksesin e investimeve të huaja. 

Kjo do t'u sigurojë vendeve në mbarë botën, përfshirë Francën, një hapësirë më të gjerë tregu, me më shumë mundësi për bashkëpunim me përfitime reciproke. Sipërmarrësit francezë janë të mirëpritur të marrin pjesë aktivisht në procesin e modernizimit të stilit kinez, si edhe të ndajnë mundësitë e zhvillimit të Kinës.

Zonja dhe zotërinj, miq!

Pas pak më shumë se dy muajsh, në brigjet e bukura të Senës do të çelen Lojërat e mëdha Olimpike të Parisit. Lojërat Olimpike janë simbol i unitetit dhe miqësisë, i kristalizimit të mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve.

Le t'i përmbahemi synimit fillestar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Le të vazhdojmë miqësinë tradicionale. Të praktikojmë moton olimpike "Më lart, më shpejt, më të fortë dhe më të bashkuar”. Të bashkojmë duart për të krijuar një epokë të re të bashkëpunimit kino-francez. Të shkruajmë së bashku një kapitull të ri të një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit!

Ju faleminderit të gjithëve!