Xi Jinping dhe Macron takohen në provincën Hautes-Pyrenees
2024-05-08 05:10:59

Më 7 maj, sipas kohës lokale, me ftesë të homologut francez Emanuel Macron, Presidenti i Kinës Xi Jinping u largua nga Parisi dhe udhëtoi me avion të posacëm për një vizitë në provincën Hautes-Pyrenees në Francën Jugperëndimore.

Presidenti Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte pritën çiftin e parë kinez në aeroportin e qytetit Tarbes, bashkë me zyrtarë të qeverisë lokale. Ata e mirëpritën ardhjen e presidentit Xi Jinping dhe gruas së tij për të vizituar këtë provincë.

Në "Bujtinën e Barinjve" në qafën malore Tourmalet, ata shijuan vallen e bariut me një stil të theksuar të Francës Jugore, që u interpretua nga fshatarët vendas. Më pas bënë dhe një fotografi me ta.

Xi Jinping vuri në dukje se qytetërimi kinez është i vetmi qytetërim i lashtë në botë, që ka zgjatur për më shumë se 5000 vjet pa ndërprerje. Për shkak të kësaj, populli kinez ka një ndjenjë të fortë patriotike, dhe i kushton veçanërisht rëndësi bashkimit kombëtar. Shumë emigrantë kinezë që kanë jetuar jashtë vendit për shumë vite, ende kanë ndjenja të thella për atdheun dhe janë krenarë për zhvillimin dhe rritjen e vazhdueshme të Kinës. “Gjatë vizitave të mia jashtë vendit, shumë studentë, emigrantë dhe banorë kinezë na përshëndesin gjatë rrugës. Tani Kina ka arritur objektivin e parë të njëqindvjetorit. Unë besoj se falë përpjekjeve të vazhdueshme të popullit kinez, Kina me siguri do të arrijë rilindjen e kombit kinez. Edhe pse Kina dhe Franca i përkasin qytetërimeve lindore dhe perëndimore me vlera e sisteme të ndryshme shoqërore, të dyja vlerësojnë shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve. Të dyja palët mund të bashkekzistojnë në harmoni, duke mënjanuar ndryshimet, dhe të japin kontribute të reja për paqen, zhvillimin botëror dhe përparimin njerëzor përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Kina është e gatshme të forcojë shkëmbimet njerëzore dhe kulturore me Francën dhe Evropën, të thellojë vazhdimisht bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, të thellojë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të konsolidojë e miqësinë midis popujve Kinë-Francë dhe Kinë-Europë.

Macron tha se vizita e tij në Kinë vitin e kaluar, veçanërisht takimi në Guangzhou Pine Garden, i la një përshtypje të thellë dhe të mirë. “Nëpërmjet shkëmbimeve të thelluara me z.President, kam kuptuar më tej historinë, kulturën, konceptet dhe procesin e zhvillimit të Kinës. Kam një kuptim më të thellë për qëndrimin e Kinës në çështje të rëndësishme. Situata aktuale ndërkombëtare është plot pasiguri. Është thelbësore për Evropën që të ruajë pavarësinë dhe unitetin strategjik. Franca dhe Kina janë të dyja anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mezi pres të mbaj komunikim të ngushtë me Presidentin Xi Jinping dhe të luaj një rol pozitiv në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në botë”.

Xi Jinping falënderoi Presidentin Macron dhe bashkëshorten e tij për ftesën dhe pritjen e ngrohtë. Ai vuri në dukje “Sot gruaja ime dhe unë kaluam një kohë të mrekullueshme dhe të paharrueshme me Presidentin Macron dhe gruan e tij. Pres me padurim shkëmbime të rregullta me Presidentin Macron dhe të punojmë së bashku për të udhëhequr zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Francë dhe marrëdhëniet Kinë-BE, për të injektuar më shumë stabilitet dhe energji pozitive në këtë botë kaotike. Presidenti Macron është i mirëpritur të vizitojë Kinën përsëri në lehtësinë e tij.”

Gjatë largimit, fshatarët vendas kënduan këngën e bariut, falënderuan Xi Jinping dhe Peng Liyuan për vizitën e tyre dhe i ftuan përzemërsisht të vinin përsëri.

Xi Jinping tha se peizazhi i bukur dhe ushqimi i veçantë këtu i lanë një përshtypje të thellë.

Macron dhe Brigitte shoqëruan përsëri Xi Jinping dhe Peng Liyuan nga qafa malore Tourmalet në Tarbes dhe mbajtën një ceremoni zyrtare lamtumire në aeroport. Të dy krerët e shteteve ranë dakord të takohen sërish në Pekin.

Atë mbrëmje, Xi Jinping u largua nga Franca me avion të posaçëm drejt Beogradit, për të filluar një vizitë shtetërore në Serbi, me ftesë të Presidentit  të Serbisë Vuçiç.