Shqipëria 2030, ministri Gonxhja: “EXPO Albania”, destinacion panairesh dhe ekspozitash
2024-04-27 11:13:16

Foto nga ATSH

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se “EXPO Albania” do të jetë një destinacion për organizimin e panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme, duke krijuar një ofertë të re për “Shqipërinë 2030”, shkruan “ATSH”.

Gjatë aktivitetit në finalen e konkursit ndërkombëtar për projektin e “EXPO Albania”, ku 5 skuadra me prestigj në botën e arkitekturës bashkëkohore, të përzgjedhura mes afro 60 konkurrentësh nga e gjithë bota, do të prezantojnë koncept-idetë e tyre për një qendër shumëfunksionale të domosdoshme në këtë fazë të re zhvillimi të Shqipërisë, ministri Gonxhja shprehu ambicien e shndërrimit të Shqipërisë në lidere në rajon sa i takon organizimit të panaireve.

“Tirana ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit, një kthesë dhe shpresë për shqipfolësit dhe partnerët, një pikë ndriçuese në historinë e zhvillimit jo vetëm të vendit, por edhe Ballkanit, sa i takon diversitetit, zhvillimit ekonomik, kulturave të ndryshme, tolerancës fetare, por edhe në aspektin e një urie për zhvillim, inovacion, për një treg që karakterizohet nga sipërmarrës energjetik në një kryeqytet dinamik sa i takon dëshirës për të eksperimentuar dhe për të dalë në të gjitha horizontet e mundshme sa më i hapur dhe sa më mikpritës”, deklaroi ministri, duke e cilësuar një tjetër provë të dëshirës për të ecur para.

“Pa lënë mënjanë aspektin turistik, pasi nuk do të mungojnë aktivitetet kulturore e artistike si bienalet, pavijonet artistike apo arkitekturës, që i mungojnë kalendarit tonë ose shpesh i organizojmë në vende të kufizuara”, tha ai.  (Irma)