Kina hap 829 vende që ofrojnë trajtim falas të pneumokoniozës
2024-04-27 12:40:54

Foto nga Xinhua

Kina ka hapur 829 vende që ofrojnë trajtim falas për njerëzit me pneumokoniozë, rastet e të cilave përbëjnë afërsisht 90 për qind të të gjitha rasteve të raportuara të sëmundjeve profesionale në vend, deklaroi në një konferencë për shtyp Wang Jiandong, i ngarkuar për shëndetin në punë në Komisionin Kombëtar të Shëndetit (NHC), citon “Xinhua”.

Sipas tij, këto vende, të cilat ndodhen në 28 rajone të nivelit provincial, ofruan trajtim falas për më shumë se 1.2 milionë pacientë me pneumokoniozë midis viteve 2021 dhe 2023.

Ai tha se shumë pacientë përballen me vështirësi në identifikimin e përgjegjësisë për të kërkuar kompensim, pasi shumica e tyre në Kinë janë punëtorë emigrantë, të cilët shpesh punojnë për më shumë se një punëdhënës në vende pune të rrezikshme dhe nuk mund të japin certifikata të marrëdhënies së punës.

Duke pasur parasysh këtë, komisioni rishikoi masat e tij për diagnostikimin dhe njohjen e sëmundjeve profesionale në vitin 2021, duke i lejuar pacientët të ofrojnë dokumentacion të reduktuar për të vërtetuar marrëdhënien e punës, të tilla si çeqet e pagave ose kartat e ushqimit, tha Wang.

Ai theksoi se komisioni do të prezantojë më shumë politika për të ndihmuar pacientët me pneumokoniozë në të ardhmen. (Irma)