SHBA përgatit paketën e ndihmës ushtarake për Ukrainën
2024-04-27 12:38:39

Foto nga VCG

Qeveria amerikane po planifikon një paketë të re të ndihmës ushtarake me vlerë miliarda dollarësh për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet ndaj agresionit rus, shkruan “ATSH” referuar medieve amerikane.

SHBA-ja po përgatitet të nënshkruajë një paketë të ndihmës ushtarake afatgjatë prej 6 miliardë dollarësh. Kësti do të jetë pjesë e ndihmës ushtarake prej 61 miliardë dollarësh të miratuar nga Kongresi amerikan këtë javë.

Sipas raportimit mediatik, planet do të bëhen publike gjatë një takimi virtual të grupit të kontaktit të udhëhequr nga SHBA-ja për të mbështetur Ukrainën dhe nuk pritet të jetë një ndihmë e menjëhershme.

Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi të mërkurën një paketë të re të menjëhershme ushtarake që arrin në 1 miliard dollarë. Kjo përfshin kryesisht pajisje për mbrojtjen ajrore, artileri, sisteme raketore dhe automjete të blinduara nga stoqet e ushtrisë amerikane.

Dy përfaqësues të qeverisë amerikane raportuan se 6 miliardë dollarët përfshijnë kontrata që do t’u jepen kompanive amerikane të mbrojtjes për të ndërtuar pajisje të reja për Ukrainën si pjesë e një programi financimi të SHBA-së. (Irma)