Ministri Peleshi: Shqipëria, promovuese e bashkëpunimit rajonal
2024-04-27 14:16:40

Foto nga ATSH

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, që u kryesua nga presidenca hungareze, në Budapest, shkruan “ATSH”.

Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, vlerësoi kontributin e iniciativës së CEDC në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar se vendet e Evropës Qendrore e kanë në fokusin e tyre Ballkanin Perëndimor. Ai e cilësoi rajonin një nga prioritetet kryesore të iniciativës CEDC.

Ministri Peleshi u shprehu mirënjohjen vendeve të CEDC-së për vëmendjen që i kushtojnë Ballkanit Perëndimor. Ai rikonfirmoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes në çdo bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar që ka si qëllim përballimin e sfidave të kohës, rritjen e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

Ministri Peleshi theksoi se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë do të vijojë të jetë një nga kontribuueset më të mëdha të bashkëpunimit rajonal, të promovimit të fqinjësisë së mirë, të mbështetjes së parimit të pranimit të njëri-tjetrit dhe gjithëpërfshirjes, të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.

Gjatë këtij takimi u prezantuan dhe prioritetet si dhe kalendari i aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë kryesimit hungarez të CEDC.

Iniciativa CEDC, por dhe formati në kuadër të saj dedikuar Ballkanit Perëndimor ka forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin mes shteteve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor. (Irma)