Sulmet kibernetike, BSH: Po rishikohet kuadri rregullator sipas standardeve të BE-së
2024-04-27 12:44:10

Foto nga VCG

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në rrafsh global dhe pozicionimit të Republikës së Shqipërisë ndaj këtyre zhvillimeve, edhe gjatë vitit 2023, sektorë kritikë, përfshirë sistemin bankar dhe më gjerë atë financiar, kanë qenë nën kërcënime të vazhdueshme kibernetike të përshkallëzuara, shkruan “Panorama”.

Sipas BSH-së, kjo situatë u shoqërua me rritjen e nivelit të alarmit dhe të masave parandaluese, në raport të drejtë me kërcënimet.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vëren se sistemi financiar ka administruar në mënyrë të kujdesshme sulmet e ndryshme, të cilat kanë pasur si synim fundor dëmtimin e imazhit dhe besimit ndaj institucioneve financiare dhe, veçanërisht, bankave në publikun e gjerë, më shumë sesa për qëllime përfitimi të vlerave monetare.

Për rrjedhojë, banka qendrore vë në dukje në raport se sulmet kibernetike nuk kanë arritur të përmbushin në mënyrë të suksesshme qëllimin e tyre.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se ka forcuar shkallën e komunikimit dhe ndërveprimit veçanërisht me sektorin bankar dhe autoritetet rregulluese përgjegjëse të fushës, duke shtuar fokusin dhe vëmendjen në këtë drejtim, sidomos në procesin e inspektimeve në vend.

Në këtë kontekst, me qëllim përditësimin e kuadrit rregullator me zhvillimet e sigurisë se informacionit dhe përmirësimin e proceseve mbikëqyrëse, Banka e Shqipërisë po vijon me procesin e rishikimit të kuadrit rregullator sipas standardeve dhe praktikave më të mira të Bashkimit Europian.

Ky proces, sipas Bankës së Shqipërisë, do të finalizohet edhe me bashkëveprimin e industrisë bankare, me qëllim përfshirjen edhe të praktikave më të mira të tregut. (Irma)